‘Qendra sekrete e Rusisë në Nish kërcënim për sigurinë e Kosovës’
Fondacioni “Carnegie” për Paqen Ndërkombëtare që është themeluar në vitin 1910 në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka publikuar një studim, përmes të cilit ka paralajmëruar shtetet e Ballkanit Perëndimor, e veçanërisht Kosova për sulme të mundshme kibernetike që mund të vijnë nga Rusia e Vladimir Putinit.
Kjo organizatë e cila ka qendrat e veta në gjashtë vende të ndryshme të botës, ka theksuar se shteti rus mund të përdor sulmet kibernetike për të penguar zhvillimet në Ballkan, duke përmendur kështu edhe marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Incidentet e ndryshme kibernetike dëshmojnë se Rusia ka mekanizëm të fuqishëm për sulme kibernetike dhe keqinformim. Para diskutimeve për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO, faktorët e jashtëm mund t’i përdorin sulmet kibernetike për ta penguar zhvillimin e këtyre proceseve”, është thënë në hulumtimin e kësaj qendre të cilin e ka siguruar “Gazeta Express”.
Si pasojë e këtij rreziku, është thënë se shtetet ballkanike janë duke marrë masa dhe po rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse.
“Si rezultat i kësaj, disa shtete ballkanike janë duke i shtuar kapacitetet e tyre për mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike në bashkëpunim me shtetet perëndimore. Rusia vlerësohet si njëra ndër kërcënimet më serioze në rajon për sulme kibernetike”, është thënë në këtë hulumtim.
Sipas kësaj analize, është bërë me dije se shumë shtete dyshojnë se Rusia ka një qendër të fshehtë të inteligjencës në Nish të Serbisë, përmes të cilës monitoron zhvillimet në Kosovë, Serbi dhe Maqedoni.
“Shumë shtete perëndimore dyshojnë se qendra ruse për shërbime emergjente në Nish i shërben Rusisë si qendër e inteligjencës. Pavarësisht qëllimit të vërtetë të ndërtimit të saj, kjo qendër ia ofron Moskës një platformë potenciale për t’i monitoruar zhvillimet në Serbi dhe në shtete tjera, si Bosnjë, Bullgari, Kosovë dhe Maqedoni Veriore”, është thënë në hulumtimin e Fondacionit “Carnegie” për Paqen Ndërkombëtare.
Ndër të tjera, është bërë me dije edhe strategjia e politikanëve rus, për nxitjen e tensioneve në Ballkan, përmes deklarimeve të rrejshme.
“Në vitin 2015, Lavrovi dhe zyrtarët tjerë rusë shkuan aq larg, saqë i akuzuan shtetet anëtare të NATO-s, Shqipërinë dhe Bullgarinë, se po synojnë ta copëtojnë Maqedoninë. Ministri bullgari i punëve të jashtme i kishte quajtur të papërgjegjshme këto deklarata. Dy vjet më vonë, ministria e jashtme ruse deklaroi se Shqipëria, e ndihmuar nga Bashkimi Evropian, NATO-ja dhe Kosova, ka pretendime territoriale ndaj Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në të dyja rastet, përmes ndërkombëtarizimit të çështjeve që në fakt ishin çështje të brendshme, zyrtarët rusë nxitën tensione mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe mosmarrëveshje tjera rajonale”, është thënë në këtë hulumtim.
Se Rusia nuk është e interesuar që të zgjidhen problemet në Ballkan e kanë thënë edhe shumë analistë e njohës të politikës ndërkombëtare. Këtë gjë sipas tyre e ka dëshmuar edhe vizita e fundit e Putinit në Beograd, pas të cilës presidenti rus nuk deklaroi asgjë që Serbia mund ta konsideronte si përkrahje për zgjidhjen e problemit me Kosovën.