Qendra Universitare Frankofone pranon donacion prej 2 500 librash
Pak para fillimit të vitit të ri akademik 2020/21, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka pranuar një donacion librash nga ish-deputeti i kantonit të Gjenevës, Eric Leyvraz dhe kryetari i shoqatës shqiptaro-frënge, Tahir Shabani.
Ky donacion i është dhuruar Qendrës Universitare Frankofone të UP-së dhe përmban libra në gjuhën frënge nga lëmi të ndryshme, siç janë: muzika, arkeologjia, gjuhësia, letërsia dhe tekste për kulturë të përgjithshme.
Donacioni numëron rreth 2 500 tekste nga fushat e përmendura më sipër. Përveç të tjerash, deputeti Leyveraz dhe kryetari Shabani kanë siguruar edhe transportin për këta libra nga Gjeneva për në Prishtinë.
Qendra Universitare Frankofone është një hapësirë e pajisur me burime edukative dhe pajisje të avancuara teknike, për modernizimin e mësimdhënies, rritjen e atraktivitetit të ofertave universitare frankofone dhe rritjen e dukshmërisë së veprimeve lokale frankofone përmes aktiviteteve specifike të organizuara.
Universiteti i Prishtinës e përshëndet këtë iniciativë, si dhe shpreson gjithmonë në bashkëpunime të tjera në të mirën e studentëve të UP-së.
(M.K / Epoka e re)