Qëndrim Dautaj: Ferizaj mbijeton pa barazh

08 maj 2019 | 19:09

Qëndrim Dautaj për “Epokën e re” ka thënë se skuadra e Ferizajt do të mbijetojë në IPKO Superligën e Kosovës në futboll pa pasur nevojë të luajë në ndeshjet e barazhit.

Katër fitore në katër ndeshjet e fundit kanë bërë që skuadra e Ferizajt të largohet nga zona e barazhit. Futbollisti Qëndrim Dautaj është shprehur i lumtur për formën e skuadrës së tij, kurse për mbetjen e Ferizajt në IKPO Superligë ka thënë se nuk ka nevojë të luajnë në barazh. “Kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme ndaj Lirisë dhe kemi vazhduar serinë e fitoreve në Superligë. Normalisht se kjo fitore na jep motiv shtesë që edhe në tri ndeshjet e ardhshme t’i kërkojmë pikët që na largojnë përfundimisht nga zona e barazhit. Na kanë mbetur të zhvillojmë edhe dy ndeshje si mysafirë dhe një si vendës ndaj Gjilanit, por shanset janë të mëdha që Ferizaj të mbetet në Superligë, pa pasur nevojë të luajmë në barazh”, ka thënë Dautaj për “Epokën e re”.

Të premten skuadra e drejtuar nga Bylbyl Sokoli është mysafire e skuadrës së Trepçës ’89. Dautaj ka konfirmuar se rezultati pozitiv është synimi i skuadrës së tij për këtë ndeshje. “Ndeshje e vështirë na pret ndaj Trepçës ’89 për faktin se të dyja skuadrat nuk janë rehat në tabelën e klasifikimit, por ne jemi të vendosur dhe do të angazhohemi që të marrim një rezultat pozitiv”, ka shtuar ai. Më 8 prill Ferizaj e pësoi humbjen e fundit nga Prishtina, kurse në ndeshjen tjetër e mposhti Feronikelin, pastaj Flamurtarin, Ballkanin dhe, në fund, Lirinë. Dautaj ka vlerësuar se në formën e mirë të skuadrës kanë ndikuar përgatitjet dyjavore në Shqipëri, por edhe fitorja ndaj “Niklit” në Drenas. “Në katër ndeshjet e fundit ka ardhur në pyetje përgatitja fizike ku, pas pushimit prej 14 ditësh, ishim në Shqipëri dhe kjo po shihet që ka qenë mjaft e dobishme, por pa e mohuar edhe faktin se fitorja ndaj Feronikelit na ka dhënë një motiv shtesë që ndeshjet e ardhshme t’i luajmë sa më mirë dhe mendoj se kemi bërë diçka që pakkush e ka besuar. Megjithatë, ende nuk ka përfunduar asgjë dhe nëse mbesim jashtë zonës së barazhit do të ishim të lumtur të gjithë lojtarët, trajnerët dhe tifozët ‘Ujqit’”, ka përfunduar Dautaj, raporton “Epoka e re”.

Skuadra e Ferizajt aktualisht zë vendin e tetë në Superligë me 37 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Gjilani që janë në zonën e barazhit.

/Veton ZYMBERI/

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti ndërministror për ndërmarrje publike, që drejtohet nga Ministria e…