Qëndrim Gashi pranon dekretin e presidentes për mbarimin e misionit si ambasador në Paris

19 maj 2021 | 20:44

Qëndrim Gashi ka bërë me dije se pas kërkesës së tijtë bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot ka pranuar dekretin e presidentes për mbarimin e misionit si ambasador në Paris.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se t’i shërbesh vendit si ambasador është privilegj.

“Deri në përfundimin zyrtar të misionit tim, do të vazhdoj ta kryej punën me përkushtim të plotë”, ka shkruar Gashi.

Postimi i plotë i tij:

Pas kërkesës sime të bërë në dhjetor të vitit të kaluar, sot kam pranuar dekretin e Presidentes për mbarimin e misionit tim në Paris.

T’i shërbesh vendit si ambasador është privilegj. T’i shërbesh vendit me përkushtim, është obligim. Përfaqësimi i Kosovës në Francë, si dhe në Andorë e Monako, e për një kohë edhe në Portugali, ka qenë nder i jashtëzakonshëm për mua. Gjatë kësaj periudhe i kam mbrojtur interesat e vendit tonë dhe jam përpjekur t’i avancoj raportet e shkëlqyeshme me shtetet ku kam qenë i akredituar, në veçanti me Francën. Raporti ynë me Francën është esencial për të ardhmen tonë evropiane.

Më lejoni ta shfrytëzoj rastin që t’i falënderoj për bashkëpunim dhe përkrahje të gjithë liderët institucionalë shtetërorë nga viti 2016 e deri tash, duke filluar nga ish-presidentja Jahjaga e cila në vitin 2015 e mori nismën për të më emëruar. Deri në përfundimin zyrtar të misionit tim, do të vazhdoj ta kryej punën me përkushtim të plotë.

Faleminderit shumë Kosovës dhe shtetit mik francez nga unë dhe Jeta (si dhe nga Jani e Noli) — mirupafshim së shpejti!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani ka liruar nga detyra Ambasadorin e Misionit…