Qëndrimi i Kurtit në pozitën e kryeministrit konsiderohet shkelje kushtetuese

23 prill 2025 | 08:18

Albin Kurti dhe kabineti qeveritar, që u betuan si deputet të Kuvendit të Kosovës të shtunën, vazhdojnë t’i mbajnë edhe pozitat ekzekutive. Sipas monitoruesve të Kuvendit e Qeverisë me këtë, ata po bëjnë shkelje kushtetuese e shkelje të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit.

Për katër herë radhazi deputetët e Kuvendit të Kosovës, u mblodhën në seancë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ulëset e rezervuara për ekzekutivin çdo herë ishin bosh.

Por, bosh nuk mbeti Zyra e Kryeministrit në Qeverinë e Kosovës, meqë Albin Kurti vazhdon ta ushtrojë postin e kryeministrit ani se një gjë e tillë nuk lejohet as me Kushtetutën e Kosovës.

Këtë e kanë konfirmuar edhe nga Zyra e Kryeministrit, të cilët janë arsyetuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të nxjerrë kur kryeministër ishte Avdullah Hoti.

“Kryeministri Kurti, bashkë me tërë kabinetin e tij qeveritar, është në dorëheqje që nga data 23 mars 2025, kur ka kaluar mandati i Kuvendit, e rrjedhimisht edhe i Qeverisë. Nga kjo datë tutje, Qeveria është në dorëheqje dhe vepron sipas kufizimeve të parapara në nenin 31 të Ligjit për Qeverinë. Sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin Hoti, kryeministri dhe kabineti aktual qeveritar mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga legjislatura e 9-të, duke siguruar kështu vazhdimësi institucionale dhe repektim të parimeve kushtetuese”, ka thënë zëdhënis i Qeevrisë, Përparim Kryeziu.

Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi kjo situatë është e paprecedentë.

“Kryeministri realisht në detyrë nuk mund të qëndroje dhe të jetë në të njëjtën kohë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, sepse kjo situatë bie ndesh edhe me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit ku saktësohet dhe precizohet kjo gjë se një deputet humb të drejtën që të vazhdojë dhe të mbajë pozita tjera”, ka thënë Melos Kolshi, monitorues në IKD.

Ndërkohë që Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se nëse Kurti merr ndonjë vendim, duhet të veprojë Prokuroria e Shtetit e edhe Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

“E para është se ka një mungesë të transparencës pra një mungesë të theksuar e trasparencës, nga ana e kryeministrit ose ish kryeministrit në detyrë z.Kurtit, momentin kur një person jep betimin si deputet ai më nuk ka të drejtë edhe të mbajë edhe një post të qeverisë në dorëheqje apo në detyre dhe rrjedhimisht çfarëdo vendimmarrje që prodhohet në këtë situatë nga një pozicion i ish kryeministrit është shkelje kushtetuese, shkelje e ligjit të qeverisë dhe assesi nuk duhet të lejohet të manifestohet një gjë e tillë”, ka thënë Bugaqku.

Albin Kurti i ka vazhduar edhe dje aktivitetet e tij si kryeministër por edhe ministrat që ishin pjesë e Qeverisë së tij.

Kështu, siç njofton Zyra e tij dhe citohet “Kryeministri Kurti dhe ministrja Rizvanolli vizituan banesat sociale në Hajvali në të cilat po investohet për efiçiencë të energjisë”. /Dukagjini

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Elon Musk ka thënë se do të shkurtojë rolin e…