Qëndrimi i Meksikës ndaj Kosovës s’do të ndryshojë, thotë Corona
Ambasadori i Meksikës në Serbi, Carlos Isauro Felix Corona, në një intervistë për gazetën serbe “Politika” të dielën, ka thënë se Meksika nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj refuzues sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, derisa ka garantuar se “gjithmonë” do të respektojë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
“Meksika gjithmonë do të respektojë integritetin dhe sovranitetin e çdo vendi, përfshirë Serbinë, natyrisht, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe kjo gjithashtu do të thotë se qëndrimi i Meksikës për mosnjohjen e Kosovës me siguri nuk do të ndryshojë. Meksika as nuk e njeh asnjë dokument të Kosovës”, ka thënë ambasadori meksikan.
Kërkesa e Kosovës për njohje ekziston në Meksiko City prej shumë vitesh, por Qeveria e Meksikës nuk është treguar e hapur për bashkëpunim deri tani e as të lëvizë në drejtim të njohjes, kryesisht për shkak të fushatës agresive kundërlobuese të Serbisë, megjithëse çështja e pavarësisë së Kosovës ngritët shumë shpesh në agjendën e politikës së jashtme meksikane.
E përveç Meksikës dhe pesëshes së Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro – në mesin e shteteve tjera të Amerikës së Jugut që mbajnë akoma qëndrim refuzues ndaj pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës janë edhe Argjentina, Bolivia, Venezuela, Uruguai, Ekuadori, Brazili, Peruja, Kili, Kolumbia dhe Paraguai.