Qëndrimi i Quintit dha shpresë për rifillimin e dialogut
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, e ka përshëndetur deklaratën e përbashkët e vendeve të Quintit, në të cilën kërkohet që Kosova ta heqë taksën dhe Serbia ta ndalë ofensivën diplomatike ndaj Kosovës në mënyrë që të rifillojë dialogu. Ai ka deklaruar se me këtë qëndrim vendet e Quintit po i trajtojnë palët në mënyrë të barabartë, gjë të cilën deri më tani nuk e ka bërë BE-ja.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka thënë se tani u kërkohet koncesione të dyja palëve. “Quinti më në fund e bëri atë që nuk e bënte BE-ja: ktheu simetrinë ndaj trajtimit të të dy palëve me dy kërkesa: koncesione reciproke për secilën prej tyre. Deri më tash Brukseli kërkonte koncesione vetëm nga njëra palë, pra që vetëm Kosova ta hiqte taksën, por jo edhe që Serbia t’i hiqte bllokadat diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë Reka. Ai ka bërë me dije se me këtë qëndrim vendet më të fuqishme perëndimore kanë dhënë shpresë për një rifillim të dialogut me një mandat të ri. “Konsideroj se Quinti, me një qëndrim të tillë të ekuidistancës ndaj dy palëve të barabarta negociuese, dha shpresë për rifillimin e dialogut, por tash me: një mandat të ri, format të ri dhe me trajtim të ri të barabartë ndaj dy palëve negociuese. Fundja, qëndrimin e Quintit pak a shumë e kishte paralajmëruar iniciativa e fundit Merkel – Makron, e filluar në pranverë në Berlin dhe me gjasë me vazhdim në vjeshtë në Paris”, është shprehur ai.
Reka ka kritikuar qasjen e deritashme të dialogut Kosovë – Serbi për normalizim të marrëdhënieve. Sipas tij, edhe iniciativa e kancelares gjermane dhe presidentit francez ishte kundër qasjes së deritashme të këtij dialogu. “Dueti ‘Merkron’ i dy fuqive kryesore të BE-së në një mënyrë ishte kritikë ndaj qasjes së gjertanishme shtatëvjeçare të ndërmjetësimit të dialogut të Brukselit, sidomos të rrëshqitjes së ish-ndërmjetësues së tij (nga gushti i vitit të kaluar) në pranimin implicit edhe të negocimit të ndryshimeve kufitare, që nuk ishte as mandat i saj e as i Komisionit Evropian”, ka thënë Reka
“Epoka e re”: Z. Reka, dialogu Kosovë – Serbi është bllokuar për arsye që dihen tashmë. Si e shihni zhbllokimin e këtij procesi?
Reka: Po, dialogu i Brukselit është ndërprerë tash e një vit. Shkak për ndërprerjen e tij kryesisht u dha ajo që mund të quhet vetëm pasojë, por jo shkaku i vërtetë. Ky dialog që në start dihej se do të ndërpritej. Bile ishte befasi që zgjati aq shumë. Pas dy fazave të tij, teknikes dhe të asaj politike, ai u ndal që nga gushti i vitit të kaluar në fazën e tretë, apo siç quhej “faza finale”. Për shtatë vjet, si proces negociator, ai u ndërmjetësua nga Komisioni Evropian, i cili deklarohej si mediator neutral, ndërkaq që nga fillimi mbajti pozicion neutral ndaj statusit të njërës palë, Republikës së Kosovës.
BE-ja pra aplikoi neutralitetin asimetrik në këto negociata, duke e trajtuar njërën palë si shtet, kurse tjetrën një entitet – siç shprehej vetë: “Pa prejudikuar statusin”. Brukseli pra aprovoi qëndrimin e palës tjetër negociatore Serbisë: mosnjohjen e Republikës së Kosovës duke ndërmjetësuar asimetrikisht me këtë dialog. Pos këtij qëndrimi kontradiktor politik, BE-ja me fusnotën (*) për Kosovën mbajti edhe qëndrim kontradiktor juridik. Thirrej në Rezolutën 1244/99 të OKB-së, (e cila Kosovën e “mban” ende “pjesë” te një shteti që nuk ekziston më “RFJ”(!), ndërkohë që vetë organi gjyqësor i OKB-së – Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, qartë konstatoi se deklarimi i pavarësisë nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare. Pra, gabimi fillestar i BE-së, kur i referohej statusit të Kosovës, ishte që thirrej njëkohësisht në dy dokumente kundërthënëse të OKB-së: edhe dokumentit virtual të para dy dekadave që mbante Kosovën në një krijesë shtetërore të shuar qëmoti, edhe dokumentit real të OKB-së – atij të vitit 2010, që njohu realitetin e ri dhe juridikisht korrigjoi një non sens të Këshillit të Sigurimit. Fundja, edhe maksima e moçme juridike na mëson se ligji i mëvonshëm e dërgon të mëparshmin.
“Epoka e re”: Pra, mendoni se dialogu i Brukselit nuk duhet të vazhdojë në mënyrën e deritashme?
Reka: Prandaj, ky dialog i Brukselit edhe nuk mund të vazhdonte me këtë mandat, në këtë format dhe sigurisht jo me një qasje të tillë të neutralitetit asimetrik për, siç thuhej, “normalizimin” e marrëdhënieve të dy palëve negociuese. Asnjëherë nuk u tha se çka nënkupton ky normalizim. Serbia e trajtoi atë si dialog teknik, kurse Kosova si negociata midis dy shteteve. Mirëpo, sa kalonte koha, ky dialog, nga negocim i dy shteteve, rrezikonte në fund të përfundonte në negociata për statusin e njërit shtet. Ky është pra shkaku i vërtetë i ndërprerjes së këtij dialogu dhe jo taksa që ishte pasojë e këtij neutraliteti asimetrik të këtij dialogu, apo ta them si ndezje alarmi nga Prishtina e kështu nuk mund të vazhdojë ky dialog pa trajtim të barabartë të dy palëve negociuese.
“Epoka e re”: Ndonëse Kosova është në prag të zgjedhjeve të parakohshme, vendet e Quintit sërish i kanë bërë thirrje Kosovës që ta heqë taksën dhe Serbisë që ta ndalë fushatën diplomatike kundër Kosovës, në mënyrë që urgjentisht t’i kthehen dialogut. Si e keni parë këtë qëndrim të Quintit?
Reka: Quinti e gjen Kosovën në një vakuum qeverisës: me një qeveri në dorëheqje, me një Kuvend që pret seancën vendimtare dhe me partitë politike që nuk dinë nëse janë për zgjedhje të parakohshme apo për, siç quhet, qeveri teknike? Po, Quinti, më në fund, e bëri atë që nuk e bënte BE-ja: ktheu simetrinë ndaj trajtimit të të dy palëve me dy kërkesa: koncesione reciproke për secilën prej tyre. Deri më tash Brukseli kërkonte koncesione vetëm nga njëra palë, pra që vetëm Kosova ta hiqte taksën, por jo edhe që Serbia t’i hiqte bllokadat diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare (ndryshe një obligim i saj nga “Marrëveshja e Brukselit” 2013).
“Epoka e re”: A do të thotë kjo se bashkësia ndërkombëtare tani ka ndryshuar qasje ndaj këtij procesi?
Reka: Konsideroj se Quinti, me një qëndrim të tillë të ekuidistancës ndaj dy palëve të barabarta negociuese, dha shpresë për rifillimin e dialogut, por tash me: një mandat të ri, format të ri dhe me trajtim të ri të barabartë ndaj dy palëve negociuese. Fundja, qëndrimin e Quntit pak a shumë e kishte paralajmëruar iniciativa e fundit Merkel – Makron, e filluar në pranverë në Berlin dhe me gjasë me vazhdim në vjeshtë në Paris. Dueti ‘Merkron’ i dy fuqive kryesore të BE-së, në një mënyrë ishte kritikë ndaj qasjes së gjertanishme shtatëvjeçare të ndërmjetësimit të Dialogut të Brukselit, sidomos të rrëshqitjes së ish-ndërmjetësues së tij (nga gushti i vitit të kaluar) në pranimin implicit edhe të negocimit të ndryshimeve kufitare, që nuk ishte as mandat i saj e as i Komisionit Evropian.
“Epoka e re”: Në Kosovë shpesh thuhet se BE-ja po e ndërlidh liberalizmin e vizave me dialogun Kosovë – Serbi. Si njohës i integrimeve evropiane, a po ndodh kjo dhe sa është e drejtë që lëvizja e qytetarëve të Kosovës në Zonën Shengen të kushtëzohet me rezultatet e dialogut me Serbinë?
Reka: Jo, liberalizimi i vizave është çështje teknike për të cilën vendoset me shumicë votash dhe jo me konsensus të shteteve anëtare, pra pa veto. Me sa e di, 95 kriteret e kërkuara nga KE-ja për liberalizimin e vizave janë plotësuar nga Prishtina, por mbeten që të binden dy shtete anëtare që kanë ende dyshime për rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ndryshe, nëse doni mendimin tim, po e përsëris vetëm atë që e kam thënë shumë herë më parë, se vërtet është absurde që Kosova, që është në kuadër të politikës së zgjerimit të BE-së, pas heqjes së vizave për të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, të mbetet geto e mbyllur jashtë qarkullimit të lirë. Ndërkohë që Brukseli para ca vitesh ua hoqi vizat edhe shteteve që nuk janë fare në politikën e zgjerimit, por në atë të partneritetit lindor (Moldavi, Gjeorgji apo Ukrainë).
Muhamet KOCI