Qerimi: Zenel Kelmendi la pas vetes një krijimtari të gjerë shkencore dhe profesionale
Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, tha se me pikëllim e kanë pranuar lajmin për vdekjen e ish-rektorit, profesor Zenel Kelmendi.
Përmes një komunikate për medie, Qerimi u shpreh se profesor Kelmendi dha kontribut të çmueshëm për mirëfunksionimin e Universitetit të Prishtinës.
“Kelmendi i ishte bashkuar UP-së qysh në vitin 1972, kur u zgjodh asistent i lëndës së Kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë, për të marrë vite më vonë gradën e profesorit ordinar nga ky institucion. Kulmin e angazhimit të tij në UP e arriti nga viti 1998, kur u zgjodh rektor i UP-së, funksion të cilin e ushtroi deri në vitin 2004, duke i shërbyer kështu institucionit dhe arsimit të lartë në vendin tonë”.
Qerimi gjithashtu theksoi se Kelmendi përveç si rektor, luajti rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës që shërbeu si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, përgjatë viteve 1991-1996.
“Falë përkushtimit, profesionalizmit dhe kontributit të tij, ai la pas vetes një krijimtari të gjerë shkencore dhe profesionale, e cila vazhdon të jetë ndriçues dije për gjeneratat e reja në vazhdimësi.
Në cilësinë e rektorit dhe në emër të universitetit, personelit akademik dhe studentëve, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.
I lehtë i qoftë dheu rektorit, prof. Zenel Kelmendit”, thuhet në komunikatë.