Qeriqi: Qeveria ka hequr nga buxheti subvencionimin e rrymës për familjet e dëshmorëve, invalidët dhe viktimat civile

19 dhjetor 2023 | 13:29

Qeveria duke se e ka ndalur subvencionim e energjisë elektrike për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe viktimave civile që nga ky vit. Kështu të paktën po pretendojnë nga OVL-UÇK-ja. Nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve po paralajmërojnë ndërmarrje të veprimeve për ta kundërshtuar këtë vendim pas fundvitit. E nga Qeveria apo ministria e Financave ende nuk janë deklaruar për këtë çështje.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po thonë se Qeveria ua ka hequr benificionin e përfitimit nga subvencionimi i rrymës, privilegj ky që familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës dhe viktimat civile e gëzonin qysh prej miratimit të Ligjit që rregullon të drejtat e tyre.

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhevdet Qeriqi ka thënë për Gazetën Express, se subvencionimi i rrymës për këto kategori është hequr nga buxheti për vitin 2023.

Kështu pagesat që deri më sot i kanë marrë thuajse në fundvit, këtë vit nuk do t’i marrin.

E kjo sipas Qeriqit ka ndodhur pa asnjë paralajmërim.

“Ka kaluar afati, kështu që kemi kërkuar një sqarim se pse janë bë këto ndryshime apo veprime, pa na njoftuar, që me qenë në dijeni që me mujt me paku qoftë si raste sociale apo diçka tjetër, por deri sot nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Duhet që ta sqarojmë që veteranët nuk janë përfshirë përveç invalidëve, familjeve të dëshmorëve dhe viktimat civile. Tash subvencionimi maksimumi 140 euro, ndonjëherë në rotacion ka shkuar edhe herë 120 euro, herë 140 në vit. Do të thotë ky subvencionim është bërë qysh prej kur është miratuar Ligji për këto kategori , është neni 6 që nuk gabojë pika 2 e këtij Ligji, e cila na ik ka garantu. Tash a ka pësuar ndryshime Ligji dhe ne nuk jemi njoftuar, apo janë marr vendim për mospagesa të këtyre subvencioneve nuk e di”, ka thënë ai.

Qeriqi tha për Express se kanë pritur që pagesat të kryhen këtë muaj por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Këtë vit nuk janë kryer pagesat. Nuk jemi subvencionuar këtë vit. Tash po përfundon viti. Ne kemi pritur hajt në këtë muaj mos po kryhet, dhe në fund e kemi kuptuar qe Qeveria e ka hequr atë buxhet prej Departamentin për Familjet e Dëshmorëve dhe nuk na ka subvencionuar , pra nuk ka planifikuar buxhet për subvencionim në buxhetin e vitit 2023”, ka thënë ai.

 

Ligji për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre, parasheh tarifa të liruara dhe reduktimi i harxhimeve të energjisë elektrike për nevoja personale. Sipas Ligjit kjo është e drejtë  të cilën e gëzojnë familjet e ngushta të dëshmorëve dhe invalidët e UÇK në rast të gjendjes së rëndë ekonomike, kur i plotëson kriteret sipas skemës së asistencës sociale.

Për këtë çështje Express ka dërguar pyetje edhe Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrinë  e Financave, por deri në publikimin e këtij teksti ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeqyteti i Bosnje-Hercegovinës, Sarajeva, është në krye të listës së…