Qerkini për bastisjen në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri dhe Fahri Fazliu: E kotë dhe humbje kohe
Avokati Artan Qerkini i ka quajtur të kota bastisjet e EULEX-it në banesën e familjarëve të dëshmorëve Bahri dhe Fahri Fazliu.
Qerkini ka thënë se gjatë bastisjeve nuk është sekuestruar asnjë provë, përveç disa dokumenteve të cilat kanë qenë publike.
Ndërsa për arsyen e bastisjes, Qerkini ka thënë se nuk u është bërë me dije vetëm se është bërë “për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara”.
“Siç është raportuar nga mediet, Dhomat e Specializuara kanë realizuar një bastisje në shtëpinë e heronjve kombëtarë. Janë munduar kinse të sekuestrojnë prova për procedura të Dhomave të Specializuara. Ka qenë një bastisje e kotë dhe humbje kohe”.
“Gjykata duhet të jetë më e kujdesshme kur lëshon urdhra për bastisje sepse cenohet privatësia. Nuk kanë sekuestruar asnjë provë. Rasti nuk është bërë i ditur, vetëm është thënë se për nevoja të procedurave nga Dhomat e Specializuara”.
“Nuk kanë kërkuar asgjë specifike, kanë marrë disa dokumente të cilat janë publike, pra nuk ka pasur nevojë të bastiset fare. Prandaj thashë që bastisja ka qenë e kotë”, ka thënë Qekini.