Qeveri jepi fund grevës
Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj, i ka bërë thirrje qeverisë t’i jep fund grevës në arsim.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se qeveria është përgjegjëse e vetme pse nuk ka filluar mësimi.
“Ajo duhet ta kuptojë se nuk është problemi as te Sindikata e as te Rrahman Jashari, por te ata 20 e sa mijë mësues të cilët janë të pakënaqur me pagat që marrin”.
“Sikur qeveria ta kishte plotësuar kërkesën e tyre për 50 euro shtesë, që dorën në zemër është minimaliste, as edhe 100 Rrahman Jashara e sindikata, nuk do të mund t’i shtyenin në grevë. Prandaj kot po i bini në qafë Rrahman Jasharit! Nuk është ai problemi”, ka shkruar Nitaj.
Ai ka thënë se nuk fiket Kosova për 50 euro shtesë për pagat e mësuesve.
“Është punë e qeverisë ta garantojë fillimin e vitit shkollor e jo e sindikatës! Jeni votuar për zgjidhje, gjejeni”, ka shkruar Nitaj.