Qeveria afgane liroi 100 talibanë të burgosur

12 prill 2020 | 11:17

Qeveria afgane ka liruar nga burgu 100 talibanë, njoftoi Këshilli për Siguri Kombëtare i Afganistanit.

Ky këshill tha se të burgosurit janë liruar për një varg arsyesh, siç është gjendja shëndetësore, mosha dhe kohëzgjatja e vuajtjes së dënimit.

Që prej 8 prillit, qeveria afgane ka liruar në total 300 të burgosur talibanë.

Ndërkaq, një zëdhënës i talibanëve ka njoftuar se grupi militant do të lirojë 20 të burgosur dhe do t’i dorëzojë ata te Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Kandahar.

“Sot 20 të burgosur nga administrata e Kabulit do të lirohen”, deklaroi zëdhënësi i talibanëve, Suhail Shaheen.

Shtetet e Bashkuara dhe talibanët më 29 shkurt nënshkruan një marrëveshje, ku bëhet thirrje që Qeveria e Afganistanit të lirojë rreth 5 000 luftëtarë talibanë si masë për ta ndërtuar besimin mes palëve, para bisedimeve formale të paqes, që kanë për qëllim dhënien fund të konfliktit 18-vjeçar.

Talibanët, në anën tjetër, janë zotuar se do të lirojnë 1 000 trupa të qeverisë afgane dhe punëtorë civilë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një organizate të bamirësisë, mbi një milion britanikë janë…