Qeveria aktuale s’ka ndryshime prej qeverive të kaluara
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim (LB), Avni Klinaku, të dielën ka shprehur skepticizëm sa i përket fazës finale të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se nuk do të arrihet marrëveshja historike në mes të dy vendeve meqë Serbia nuk ka qasje të zgjidhjes së problemeve.
“Mirëpo do të shkohet drejt kompromiseve për minoritetin serb në mënyrë që mund të bëhet një lloj pajtimi, duke i harruar problemet e vërteta në veri dhe në Luginë të Preshevës. Tendenca është krijimi i një lloj sigurie politike dhe ndoshta shtetërore për serbët në Kosovë në mënyrë që Serbia të largohet nga dialogu duke iu hapur rruga për BE, kurse Kosova do të mbetet me problemet e brendshme, kryesisht të shkaktuara nga komuniteti serb”, ka deklaruar Klinaku.
Ai ka vlerësuar se Kosova aktualisht ka një gjendje jo të mirë dhe një perspektivë të zymtë si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Sipas Klinakut, në vazhdimësi kemi pasur qeveri që nuk janë përkujdesur për interesin e qytetarit dhe të vendit, si dhe roli i opozitës vazhdon të jetë i zbehtë.
Ai ka shprehur optimizëm se rekomandimi për vizat do të jetë pozitiv për shkaqe politike meqë, sipas Klinakut, Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë keq sa i përket luftimit të krimit dh korrupsionit.
Ai është shprehur kundër zgjedhjeve të parakohshme duke thënë se njëherë duhet të përfundojë reforma zgjedhore sepse procesi zgjedhor në vazhdimësi po prodhon kriza.
Klinaku ka folur edhe për formimin e ushtrisë së Kosovës duke thënë se ngadalësimi i këtij procesi nuk vjen për shkak të politikës ditore ose aftësisë dhe paaftësisë së kësaj Qeverie, por për shkak të kompetencave të mëdha që i janë dhënë komunitetit serb.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, çfarë vlerësimi keni për qeverisjen e vendit nga koalicioni PAN?
Klinaku: Qeveria aktuale nuk ka ndryshime prej qeverive të kaluara. Në vazhdimësi kemi pasur qeveri që nuk janë përkujdesur për interesin e qytetarit dhe të vendit, por për interesin e grupeve të caktuara partiake dhe familjare. Edhe roli i opozitës vazhdon të jetë i zbehtë, madje edhe më i zbehtë sesa në legjislaturat e kaluara. Prandaj, kemi një gjendje jo të mirë dhe një perspektivë të zymtë në krejt Kosovën.
“Epoka e re”: Me këtë klasë politike, sa mund të jetë shpresuese e ardhmja e vendit?
Klinaku: Derisa kemi një qeverisje të keqe brenda Kosovës, edhe perspektiva e jashtme nuk është e mirë. Ndonëse perspektiva e jashtme shpesh ndërlidhet me raportet e tjera ndërkombëtare dhe Kosova mund të përfitojë në ato raporte, mirëpo për shkak të qeverisjes së brendshme do të ecim ngadalë edhe në aspektin ndërkombëtar.
“Epoka e re”: Kosova ka avancuar në agjendën evropiane. Prisni rekomandim pozitiv për vizat?
Klinaku: Për shkaqe politike rekomandimi për vizat do të jetë pozitiv, përndryshe në aspektin e luftimit të korrupsionit Kosova ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë keq duke mos bërë kurrsesi përparime në atë drejtim. Madje duke e parë kushtin për luftim të korrupsionit në dritën e liberalizimit, është duke ngecur më tepër, sepse më tepër jemi të interesuar ta ‘mashtrojmë’ Bashkimin Evropian sesa ta luftojmë krimin e korrupsionin për hir të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit. Liberalizimi i vizave shpresoj se do të bëhet për shkaqe politike e jo për arsye se Kosova ka bërë hapa në drejtim të luftimit të krimit dhe korrupsionit.
“Epoka e re”: Meqë kushtet nuk janë plotësuar, do të thotë se BE-ja nuk qenka e padrejtë ndaj Kosovës siç deklarojnë shpeshherë liderët.
Klinaku: Edhe vendet që tashmë e kanë liberalizimin hiq më mirë nuk kanë qenë në aspektin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, madje edhe në Shqipëri krimi dhe korrupsioni janë në lulëzim, por kanë liberalizim të vizave. Prandaj nëse Kosova krahasohet me vendet e tjera, mund të themi se na është bërë padrejtësi. Personalisht do të isha më i angazhuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit për hir të qytetarëve sesa për hir të liberalizimit të vizave. Liberalizimi i vizave do të ishte dashur të vijë vetëm si rezultat i punës sonë të brendshme dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë. Kjo do të kishte ndikuar që qytetarët mos të kenë nevojë për të dalë jashtë dhe liberalizimi të ishte parë vetëm atraksion për turizëm dhe jo nevojë sociale.
“Epoka e re”: Si e shihni fazën finale të dialogut me Serbinë?
Klinaku: Këtu jemi edhe më skeptikë për shkak se asnjëherë nuk i kemi shtruar çështjet ashtu siç duhet dhe për çfarë ka nevojë Kosova në atë dialog. Kosova i ka disa probleme me Serbinë, por ato nuk janë shtruar kurrë drejt, prandaj edhe nuk besoj se do të na vijë zgjidhje e drejtë. Mirëpo do të shkohet drejt kompromiseve për minoritetin serb në mënyrë që mund të bëhet një lloj pajtimi, duke i harruar problemet e vërteta në veri dhe në Luginë të Preshevës.
“Epoka e re”: Nuk besoni në arritjen e marrëveshjes historike në mes dy vendeve?
Klinaku: Nuk besoj se do të arrihet kjo marrëveshje sepse Serbia nuk ka qasje të zgjidhjes së problemeve, por kjo është shtruar si kusht i agjendës në BE. Edhe nëse e proklamojnë një marrëveshje historike, problemet do të mbesin sepse ajo nuk do t’i zgjidhë ato. Tensionet do të vazhdojnë deri në zgjidhjen përfundimtare të këtyre problemeve.
“Epoka e re”: Nga kjo që po thoni ju, del se Kosova nuk do të përfitojë nga ky dialog, por do të ketë kompromise në dëm të shqiptarëve?
Klinaku: Gjithsesi ato kanë filluar dhe do të vazhdojnë. Tendenca është krijimi i një lloj sigurie politike dhe ndoshta shtetërore për serbët në Kosovë në mënyrë që Serbia të largohet nga dialogu duke iu hapur rruga për BE, kurse Kosova do të mbetet me problemet e brendshme, kryesisht të shkaktuara nga komuniteti serb.
“Epoka e re”: Përderisa Kosova ka avancuar sa i përket dinamikës në procesin e dialogut, në anën tjetër ka ngecje në çështjet e brendshme siç është formimi i ushtrisë.
Klinaku: Ky ngadalësim i këtij procesi nuk vjen për shkak të politikës ditore ose aftësisë dhe paaftësisë së kësaj Qeverie, por për shkak të kompetencave të mëdha që i janë dhënë komunitetit serb i cili mund t’i bllokojë ndryshimet kushtetuese, me ç’rast Kosova obligohet ta formojë ushtrinë përmes ligjit, por që një gjë e tillë nuk mbështetet nga faktori ndërkombëtar. Problemet nuk janë zgjidhur, komuniteti serb ka privilegje deri bllokuese për Kosovën, prandaj e vonon edhe procesin e formimit të ushtrisë. Madje do të ketë vonesa në këtë drejtim për shkak se ndërkombëtarët nuk janë dakord për formimin e ushtrisë përmes ligjit, por përmes ndryshimeve kushtetuese dhe përmes kësaj të fundit serbët ose nuk pajtohen ose do të çesin kushte shumë të rënda dhe do të prolongohet edhe më tutje formimi i ushtrisë.
“Epoka e re”: Z. Klinaku, si e komentoni kërkesën e partive opozitare për zgjedhje të reja, LB-ja është e gatshme për proces zgjedhor?
Klinaku: Nuk ka seriozitet në atë drejtim. Të gjitha partitë politike, edhe ato të opozitës, nuk janë të gatshme për zgjedhje edhe për shkak të problemeve të brendshme, fuqisë elektorale dhe raporteve në mes tyre. Për shkaqe të tjera dhe për shkaqe financiare më mirë do të ishte të mos ketë zgjedhje në këtë kohë. Veçanërisht jemi të interesuar për një reformë të mirëfilltë zgjedhore e cila jep mundësi për zgjedhje më demokratike. Duhet të përfundojë reforma zgjedhore sepse, fatkeqësisht, procesi zgjedhor në vazhdimësi po prodhon kriza. Nuk është shumë i rëndësishëm fati i LB-së sesa është i rëndësishëm fati i Kosovës. Pas çdo procesi zgjedhor kemi bllokada të cilat po na vonojnë në zhvillimin ekonomik dhe në sfera të tjera.
Shqipe HETEMI