Qeveria aprovon planin kombëtar për efiçiencë të energjisë 2019-2021
Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Planin Kombëtar të Veprimit për Efiçiencë të Energjisë për periudhën 2019-2021, raporton “Epoka e re”.
Vendimi obligon Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit si dhe institucionet tjera kompetente për zbatimin e masave që dalin nga ky dokument.
Ky plan ka për qëllim arritjen e objektivave të politikës shtetërore në fushën e efiçiencës së energjisë, duke përfshirë skemën obligative dhe masat alternative të efiçiencës së energjisë, masat e politikave për efiçiencë të energjisë, kursimet e energjisë të arritura ose të planifikuara për t’u arritur në nivelin e furnizimit, transmisionit, shpërndarjes dhe konsumit final të energjisë, në mënyrë që të përmbushen objektivat kombëtare të efiçiencës së energjisë.
Po ashtu ky dokument përfshinë një vlerësim të zbatimit të planit paraprak 2016-2018.