Qeveria: Askush nuk mund ta gjykojë luftën tonë për liri
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave ndaj presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.
Në një deklaratë, Qeveria e Kosovës thotë se beson thellë në luftën e UÇK-së.
“Qeveria e Republikës së Kosovës po i përcjell me vëmendje zhvillimet e fundit rreth Dhomave të Specializuara, të cilat janë pjesë e sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës beson thellë në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e vendit, që mbetet një nga periudhat më të ndritshme të historisë”.
“Askush nuk mund të gjykojë luftën tonë për liri”.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për çlirimin e vendit tonë, për mbrojtjen e pragut të shtëpisë, e jo në tokë të huaj, dhe si e tillë gëzoi mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, që kulmoi me fushatën e bombardimeve të NATO-s”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, konsideron se askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa vendim përfundimtar të organeve kompetente të drejtësisë. Bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e Kosovës kanë qenë gjithmonë dhe vazhdojnë të jenë shembull për respektim dhe bashkëpunim me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare”, është thënë në reagimin e Qeverisë së Kosovës