Qeveria del me njoftim pas takimit të Kurtit me Escobarin dhe Lajçakun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti të hënën në mbrëmje në takim emisarët evropianë dhe amerikanë Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
Siç njofton Qeveria e Kosovës, u shkëmbyen mendime mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit, ide për de-eskalim të situatës në veri dhe urgjenca për zbatim të Marrëveshjes Bazike e Aneksit të zbatimit.
“Kryeministri tha se rruga përpara është ndalimi i menjëhershëm i sulmeve nga ekstremistë të dhunshëm dhe grupe kriminale ndaj organeve të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare si dhe gazetarëve. Ai ftoi Brukselin dhe Washingtonin që të bëjnë thirrje për ndalim të dhunës dhe ndjekje penale e ndëshkim të kryerësve të saj”, thuhet në njoftimin e qeverisë.
Sipas këtij njoftimi, vetëm sundimi i ligjit mund t’i hap rrugë zgjedhjeve të parakohshme, të lira, demokratike e të ndershme.
“E tillë duhet të jetë edhe fushata parazgjedhore, theksoi kryeministri Kurti. Kandidatët dhe votuesit në zgjedhjet e reja duhet të garojnë e marrin pjesë pa frikë e kërcënime. Rendi dhe ligjshmëria sigurisht që do të zvogëlonin proporcionalisht edhe numrin e policëve në ndërtesat komunale në tri komunat veriore. Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e pa rezervë dhe mirëbesimin e palëkundur për angazhim intensiv e të përbashkët për de-eskalim të gjendjes dhe normalizim të marrëdhënieve”, bëhet me dije në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.