Qeveria dhe qytetarët të përgatiten për çdo sulm nga Serbia
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, deklaroi se Qeveria e Kosovës dhe qytetarët duhet të përgatiten për çdo sulm nga Serbia.
Kurteshi në Klan Kosova tha se serbët nuk e kanë problematike çështjen e targave, por prishjen e rrënjëve të zhvillimit të krimit që e kanë bërë deri tani.
“Një gjë duhet ta dimë, që Qeveria e Kosovës dhe shoqëria e Kosovës duhet të përgatiten për çdo eventualitet dhe çdo sulm nga Serbia. Nuk ka të bëjë gjithçka me targat, por me prerjen e rrënjëve e kalimeve për zhvillimin e krimit siç e kanë pasur deri tash.
Në rastin më të keq, janë 15 mijë vetura dhe absolutisht nuk e kanë këtu, por diku tjetër, pasi po shohin se po e humbin terren dhe kjo i ashpërson ata [serbët] edhe më shumë. Mirëpo, do të vijë dita kur edhe ata do të pajtohen. Dalëngadalë kjo epokë po merr fund”, tha Kurteshi.