Qeveria dhe talibanët shkëmbejnë të burgosur
Qeveria e Afganistanit dhe militantët talibanë kanë liruar qindra të burgosur si pjesë e një plani më të madh para negociatave për paqe, me të cilat synohet përfundimi i luftës 18-vjeçare.
Shkëmbimi i të burgosurve është pjesë e marrëveshjes së shkurtit të këtij viti mes Shteteve të Bashkuara dhe talibanëve, me të cilën parashihet lirimi i pesë mijë të burgosurve talibanë nga qeveria afgane dhe lirimi i një mijë të burgosurve afganë nga talibanët.
“Qeveria i ka liruar 710 të burgosur talibanë nga burgjet Pul-e Charkhi, Parwan dhe nga disa burgje të tjera prej ditës së djeshme”, tha të shtunën zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Javid Faisal.
Ky veprim e ka çuar në 2 700 numrin e përgjithshëm të të burgosurve të liruar nga qeveria afgane që nga nënshkrimi i marrëveshjes mes talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara, shkruan “Free Europe”, transmeton Express.
Në anën tjetër, zëdhënësi i zyrës politike të talibanëve në Katar, Suhail Shaheen, tha se të shtunën grupi i ka liruar 73 pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë në provincat Balkh, Kunduz, Logar, Paktia, Khost dhe Paktika. Sipas tij, talibanët deri më tani i kanë liruar 420 të burgosur të qeverisë afgane.
Procesi i paqes u rrezikua shumë pas disa sulmeve, por më 24 maj hyri në fuqi një armëpushim për nder të festës së Fitër Bajramit, që duket se po vazhdon të respektohet edhe pas festës.