Qeveria dhe Vetëvendosja s’marrin pjesë në seancë, Tahiri: ZRrE-ja në linjë me qeverinë për rritjen e çmimit të rrymës
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga 40 deputetët e opozitës për vendimin e ZRrE-së për rritjen e çmimit ka kritikuar mospraninë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kabinetit qeveritar në seancë.
“Siç jeni në dijeni në seancën e djeshme në një diskutim rreth ngritjes së çmimi të energjisë elektrike e kam njoftuar këtë kuvend janë duke i mbledhë nënshkrimet për të debatuar lidhur me këtë çështje. Shihni tarifat dhe ngritjen e çmimit dhe shihni pozicionimin e qeverisë. AAK-ja nuk e ka lëshuar sallën por kemi qëndruar, sot Lëvizja Vetëvendosje e cila nuk është këtu, grupi parlamentar më i madh e injoron debatin mbi një çështje e cila e ka një rëndësi të jashtëzakonshme, kjo tregon se si i qasen dhe si ka qenë e sinkronizuar rritja e çmimit të rrymës nga ZRrE-ja”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se kanë kërkuar debat parlamentar që Kuvendi përmes një rezolute të kërkojë revokimin e çmimit të rritur të energjisë elektrike nga ZRrE-ja.
“Ne kemi kërkuar debat parlamentar dhe ky kuvend përmes një rezolute të jap një qëndrim të qartë për revokimin e vendimit të ZRrE. ZRrE-ja që tashmë është kthyer në një instrument të qeverisë është duke reflektuar saktë direktivat e qeverisë dhe shumicës parlamentare”, ka thënë Tahiri.