Qeveria do ta udhëheqë, BE-ja do të ndërmjetësojë, ShBA-ja do të jetë në dialog
Anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë në emisionin Pressing në T7, se dialogu me Serbinë do të udhëhiqet nga ai si kryeministër eventual. Ai, po ashtu, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ishte i ftuar në dialogun në Shtëpinë e Bardhë.
Anëtari i LDK-së, Kujtim Shala, kishte thënë në emisionin Pressing të hënën se ShBA-ja nuk e ka dashur kryeministrin në krye të delegacionit të dialogut. Hoti e shpjegoi këtë deklaratë.
‘’Kryeministri kishte ftesë për të marrë pjesë në dialog. Ne e kemi bërë të qartë në platformën tonë në nëntor të vitit 2018. Ashtu do të veprojmë. Kishim edhe një marrëveshje se si do të vepronim me ish-partnerin në qeverisje. Gjërat rrodhën ashtu. Ne e kishim ndërmend të dilnim nga koalicioni pasi nuk u morëm vesh për lidhjet me miqtë ndërkombëtare”, tha ai.
Më tutje, ai tregoi se kush do ta drejtojë dialogun.
“Qeveria do të drejtojë dialogun, me një pjesëmarrje të presidentit, normalisht sipas kompetencave që lejohen”, thotë ai. “Dialogu do të ndërmjetësohet nga BE-ja, me një pjesëmarrje të fuqishme nga ShBA-ja”, shtoi Hoti.