Qeveria do të punësojë persona me aftësi të kufizuara

11 gusht 2022 | 15:52

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kanë mbajtur të enjten një takim me përfaqësues të organizatave joqeveritare, ku ndër të tjera janë nënshkruar edhe marrëveshje të bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.6 – Mbështetja e personave me aftësi të kufizuara të pakos së ringjalljes ekonomike në mes të qeverisë dhe OJQ-ve.

Lajmin e ka bërë me dije zyra e kryeministrit përmes një njoftimi për media.

“Kjo masë, që e kemi dizajnuar së bashku, synon të arrijë dy objektiva: e para, nxënien e shkathtësive nga personat me aftësi të kufizuara dhe e dyta, punësimin e qëndrueshëm të tyre.  Nxënia e shkathtësive është e destinuar që të rezultojë me punësim. E për të nxitur dhe mundësuar punësim të garantuar dhe të qëndrueshëm, ne zotohemi që bizneseve që lidhin kontratë të rregullt pune me personat që kanë ndjekur trajnimet, t’ua subvencionojmë pagën e punëtorit deri në 270 euro në muaj, për 6 muaj me radhë. Pra 270 euro për gjashtë muaj me radhë, që i bie më shumë se sa niveli bruto i pagës minimale, të cilën e kemi kaluar tashmë në lexim të parë në Kuvendin e Republikës”, citohet të këtë thënë Kurti.

Ndërsa ministri Hekuran Murati ka thënë se ndonëse masat e pakos kanë qëllim të krijojnë prosperitet për të gjithë, ato shpeshherë janë edhe të targetuara. Ai ka theksuar se masa 1.6 ka një mekanizëm të veçantë zbatimi ku organizatat kanë rol thelbësor në monitorim duke identifikuar sfidat dhe arritjet përgjatë vijueshmërisë së masës.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gruaja e Granit Xhakës, Leonita, ka folur për bashkëshortin e…