Qeveria do të shpallë konkurs ndërkombëtar për kompleksin “Adem Jashari”
Qeveria e Kosovës do të investojë për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe për këtë do të shpallet një konkurs ndërkombëtar.
Në mbledhjen e ekzekutivit u miratua të mërkurën vendimi për aprovimin e kritereve, kushteve për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit të përzgjedhjes së projektit për kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dha më shumë detaje në mbledhjen e qeverisë.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka thënë se si qeveri e kanë trajtuar me prioritet të lartë dhe kujdes të veçantë Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“Që prej themelimit të Komitetit Ndërministror në 2021, vetëm një muaj pas formimit të Qeverisë pra, kemi ecur me hapa të sigurt drejt mbrojtjes së vlerave dhe zhvillimit të master planit për Kompleksin Memorial. Vitin e kaluar jemi kujdesur që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në këtë Kompleks e falë ndërhyrjeve emergjente, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar. Kompleksi Memorial është pasqyrë e jona, pasqyrë në të cilën e shohim veten tonë, përmes së cilës na shohin të tjerët, aty e gjejmë lavdinë e djeshme, forcën për nesër”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se me këtë projekt do të jetësohet vizioni i përbashkët të përfaqësimit të drejtë e të duhur të historisë heroike, sakrificës së papërsëritshme dhe kontributin e pashoq të familjes Jashari për çlirimin e vendit tonë.