Qeveria duhet ta përshpejtojë implementimin e pakos së rimëkëmbjes
Ekonomisti Visar Vokrri ka thënë se qeveria duhet ta përshpejtojë implementimin e pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që sadopak të zvogëlohen pasojat ekonomike nga pandemia Covid-19. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka theksuar se objektiv primar i kësaj qeverie duhet të jetë adresimi i sfidave akute, si rezultat i masave restriktive që na shoqëruan gjatë vitit 2020. Vokrri ka pohuar se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen edhe për aspektin e investimeve të huaja, duke theksuar se në ketë drejtim investitorëve duhet t’u ofrojmë siguri dhe kushte të favorshme për investime
Albulena S. MAVRAJ
“Epoka e re”: Z. Vokrri, çfarë vlerësimi keni për punën e deritanishme në aspektin ekonomik të qeverisë Kurti?
Vokrri: Qeveria tashmë ka bërë publik programin katërvjeçar në të cilin është shpalosur edhe vizioni i saj në lidhje me rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ky dokument nuk është një plan i detajuar, sepse ende nuk i kemi parë idetë dhe projektet konkrete të cilat do të jenë në funksion të realizimit të këtij vizioni. Vlen të përmendet fakti se në këtë program theks i veçantë u është dhënë skemave të reja sociale për të cilat nuk kemi shumë informata se si do të financohen. Ajo çfarë dihet në këtë drejtim është se kjo qeveri ka në plan t’i ridizajnojë politikat fiskale, mirëpo edhe kjo mbetet për t’u parë. Pres që qeveria të dalë shumë shpejt me një dokument strategjik ku do t’i kemi të qarta idetë dhe prioritetet sa i përket zhvillimit afatgjatë ekonomik.
“Epoka e re”: Është premtuar edhe rritja e pagës minimale prej 250 eurosh. Sa janë gjasat të ndodhë kjo, dhe a mund të nxisë më pas rritjen e informalitetit?
Vokrri: Paga minimale nuk është rishikuar thuajse një dekadë, pavarësisht se ashtu siç e parasheh Ligji i Punës, qeveria në fund të çdo viti duhet ta përcaktojë pagën minimale në bazë të propozimit nga Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, tashmë Këshilli Kombëtar për Ekonomi dhe Investime. Paga minimale aktuale është jashtëzakonisht e ulët në Kosovë dhe rritja e saj nuk besoj se do ta nxisë rritjen e informalitetit ngaqë, sipas planit të qeverisë, me rritjen e pagës minimale do të rritet edhe pragu i pagës së tatueshme në nivel të pagës minimale. Gjithsesi, këto ndryshime duhet të shoqërohen me ngritje të kapaciteteve monitoruese të zbatimit të legjislacionit që ka të bëjë me kushtet e punës.
“Epoka e re”: Cilat janë çështjet kyçe në të cilat duhet të fokusohet qeveria?
Vokrri: Duke pasur parasysh se ende jemi në kohë pandemie, besoj se objektiv primar i kësaj qeverie duhet të jetë adresimi i sfidave akute si rezultat i masave restriktive që na shoqëruan gjatë vitit 2020. Kemi një ligj që është miratuar në vitin e kaluar por, sa po shoh, kjo qeveri është e interesuar ta rikthejë në rishikim dhe të propozojë një pako të re të rimëkëmbjes. Aktualisht kemi një ligj të veçantë lidhur me rimëkëmbjen ekonomike të miratuar vitin e kaluar në Kuvend por që, fatkeqësisht, ende nuk po gjen zbatimin e duhur. Zotimet e qeverisë karshi sektorit privat përbrendësohen në aktivitetin e tyre ekonomik, andaj çdo dështim në mosrealizmin e këtyre zotimeve mund të reflektohet në rënie të aktivitetit ekonomik. Qeveria duhet ta përshpejtojë implementimin e pakos së rimëkëmbjes në mënyrë që sadopak të minimizohen pasojat ekonomike nga pandemia Covid-19. Fatmirësisht, tkurrja e ekonomisë në vitin 2020 del të jetë më e vogël se parashikimet fillestare, ndërsa projeksionet për vitin 2021 janë optimiste sa i përket aktivitetit ekonomik në vend. Sipas Bankës Botërore dhe FMN-së, ekonomia e Kosovës do të rritet mbi 4 për qind. Në mënyrë që të arrihet ky skenar është jetike që të përshpejtohet procesi i vaksinimit, dhe kësisoj do t’i shmangemi edhe një mbylljeje tjetër. Gjithashtu, duke pasur parasysh se pasojat e mbylljes në disa sektorë kanë qenë shumë më të mëdha sesa në disa sektorë të tjerë, konsideroj se qasja do të duhej të ishte me selektive. Pra, në vend të masave uniforme, do të duhej të aplikoheshin masa të ndryshme për sektorë të ndryshëm, varësisht nga natyra dhe magnituda e dëmit ekonomik nga mbyllja e ekonomisë.
“Epoka e re”: Sa iu përket investimeve të huaja dhe prodhimtarisë, cili është opinioni juaj?
Vokrri: Nëse i shohim dokumentet strategjike te të gjitha qeverive paraprake, IHD-të kanë qenë prioritet i tyre por që, fatkeqësisht, nuk është bërë mjaftueshëm për përmirësimin e klimës për thithjen e këtyre investimeve. Ndikim jo të vogël në këtë drejtim ka pasur imazhi i dëmtuar kryesisht nga mungesa e stabilitetit politik në vend. Andaj, kjo qeveri duhet të investojë në përmirësimin e imazhit dhe klimës investive në përgjithësi, në mënyrë që të jemi kompetitivë me vendet e rajonit sa iu përket IHD-ve.
“Epoka e re”: Si do të duhej që të kishim një plan sa i përket kanalizimit të IHD-ve, meqë shumicën i kemi në patundshmëri?
Vokrri: Ne si vend do të duhej fillimisht të ofronim siguri dhe të krijonim kushte të favorshme për investime e më pas janë investitorët ata që vendosin se ku apo si do të investojnë. Është e rëndësishme të kemi klimë të favorshme dhe t’u ofrojmë siguri.
“Epoka e r”: A mund të jenë faktorë edhe normat e larta të interesit të bankave komerciale?
Vokrri: Jo. Unë nuk e shoh këtë si çështje problematike. Normat e interesit nuk janë të larta ngaqë vitet e fundit kemi pasur rënie të vazhdueshme të tyre. Për më tepër, investitorët vijnë të investojnë me kapitalin e tyre të krijuar në vendet e tyre, dhe jo duke u mbështetur në mundësitë e financimit që ne mund t’ua ofrojmë këtu në Kosovë.
“Epoka e re”: Ka pasur kritika të shumta në drejtim të keqmenaxhimit të ndërmarrjeve publike e që, pos shkarkimeve të bordeve, nuk është bërë e dije diçka tjetër. Çfarë strategjie duhet të kemi për këto ndërmarrje?
Vokrri: Fillimisht konsideroj se për ndërmarrjet publike do të duhej të kompletoheshin bordet e tyre sa më parë, natyrisht përmes një procesi transparent. Ditët e fundit kemi parë një përshpejtim të procesit të emërimit të bordeve në këto ndërmarrje dhe po besoj se qeveria e re ka vullnetin për fillimin e një procesi transformues aq të domosdoshëm për rimëkëmbjen e ndërmarrjeve publike në Kosovë. Ne jemi dëshmitarë të degradimit të një numri të madh të ndërmarrjeve publike në vend, andaj organet e reja udhëheqëse të tyre duhet të angazhohen shumë për rikthimin e këtyre ndërmarrjeve në organizata rentabile.
“Epoka e re”: A duhet të privatizohet Telekomi?
Vokrri: Pas dy dështimeve për privatizim të Telekomit gjatë viteve 2010-2013, fatkeqësisht nuk kemi arritur të kemi një konsensus të brendshëm sa i përket të ardhmes së kësaj ndërmarrjeje publike. Nga një ndërmarrje që qeverisë si pronar i vetëm i saj i siguronte 200 milionë euro dividente, tani ajo është shndërruar në barrë financiare për të. Unë konsideroj që para se ta konsiderojmë si alternativë privatizimin, duhet të merremi me problemet e shkaktuara ndër vite si pasojë e keqmenaxhimit të saj. Përveç mbipunësimit dhe rritjes së borxheve të kësaj ndërmarrjeje, në katër-pesë vjetët e fundit s’është bërë asnjë investim në mirëmbajtje të sistemeve të cilat sigurojnë ofrimin e shërbimeve të Telekomit. Pra, para se të flasim për privatizim, duhet të mendohet se si të kthehet kjo ndërmarrje në një biznes fitimprurës, ngaqë nuk mund të presësh interesim nga investitorë seriozë për një ndërmarrje që është pranë kolapsit.