Qeveria e Brazilit e refuzon ndihmën për Amazonën
Qeveria e Brazilit tha se do të refuzojë ofertën për ndihmë nga G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, për fikjen e zjarreve në pyjet e Amazonës.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ishte nikoqir i samitit të G7-ës, që ka përfunduar të hënën, ka thënë se është rënë dakord për 22 milionë dollarë ndihmë.
Zyrtarët brazilianë nuk kanë dhënë arsye për refuzimin e parave, por presidenti Jair Bolsonaro e akuzoi Francën për trajtimin e Brazilit si koloni.
Ministri i tij i Brendshëm, Fernando Azevedo e Silva, ka thënë se zjarret në Amazonë nuk janë jashtë kontrollit.
Një numër rekord i zjarreve e ka përfshirë rajonin e Amerikës Jugore, shumica e tyre në Brazil, duke nxitur shqetësim ndërkombëtar, për shkak të rëndësisë së Amazonës për mjedisin global.
Kritikët e kanë akuzuar Bolsonaron për përkeqësimin e shpyllëzimit në Amazonë përmes retorikës antimjedisore.
Shefi i stafit të Bolsonaros, Onyx Lorenzoni, ka thënë se fondet e ofruara nga vendet e G7-ës “mund të jenë më të rëndësishme për pyjet në Evropë”.
“Macroni nuk mund të shmangë një zjarr të parashikueshëm në një kishë që është pjesë e trashëgimisë së botës dhe ai dëshiron të na japë mësime për vendin tonë”, ka thënë Lorenzoni për portalin e lajmeve “Globo”, duke iu referuar zjarrit që përfshiu katedralen Notre-Dame në Paris në muajin prill.