Qeveria e Katalonisë do të nisë sërish fushatë për ndarje nga Spanja
Lideri i Katalonisë, Quim Torra do të nisë sërish fushatë për ndarje të këtij rajoni nga Spanja, duke refuzuar një ofertë nga Qeveria qendrore në Madrid për mbajtje të referendumit për autonomi më të madhe, transmeton “Reuters”.
Torra është emëruar udhëheqës i këtij rajoni në muajin maj, duke zëvendësuar Carles Puigdemont, i cili ka ikur në Bruksel vitin e kaluar pasi Madridi e ka larguar nga zyra.
Kryeministri i ri socialist spanjoll, Pedro Sanchez, ka krijuar qasje më të butë ndaj Katalonisë prej kur ka marr pozitën e konservatorit, Mariano Rajoy në muajin qershor, pavarësisht se nuk ka treguar asnjë shenjë për votim rreth pavarësisë së plotë të këtij rajoni.
“Do ta dërgoj atë deri në fund. Do të shkoj aq larg sa do të kërkojë parlamenti i Katalonisë”, ka thënë Torra në një intervistë televizive të hënën.
Deklaratat e tij kanë ardhur një javë para mbajtjes së Ditës Kombëtare të Katalonisë në të cilën tradicionalisht mblidhen mijëra separatistë në rrugë. Torra ka bërë thirrje për dalje masive këtë vit për të treguar mbështetje për shkëputjen e Katalonisë, raporton “Rel”.
Sanchezi ka propozuar të hënën mbajtjen e një referendumi për autonomi më të madhe të Katalonisë, mirëpo ka kundërshtuar ashpër çfarëdo thirrje për pavarësi apo tentim të njëanshëm për shkëputje.