Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë nesër mblidhen në Shkup
Më 16 shtator në Shkup do të zhvillohet mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
Sipas zyrtarëve të lartë të ekzekutivit në Maqedoninë e Veriut janë miratuar marrëveshjet që do të nënshkruhen mes dy qeverive, por pa i bërë publike ato. Mbledhja e mëparshme ishte shtyrë për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 14 shkurt.
Analisti politik, Albert Musliu, e ka cilësuar ngjarjen si një zhvillim që duhet përshëndetur. Ai ka thënë se Maqedonisë së Veriut i intereson bashkëpunimi me Kosovën, ndërsa solli në vëmendje se me ardhjen e Zaev marrëveshjet ndërshtetërore nuk kanë munguar. E para nga to ka qenë me Kosovën.
Sipas tij Serbia nuk do t’i prishë marrëveshjet me Maqedoninë e Veriut, pavarësisht bashkëpunimit të kësaj të fundit me Kosovën.
Musliu ka thënë për “Euronews Albania” se marrëveshjet dhe bashkëpunimi në mes të vendeve të Ballkanit Perëndimor e ka ndryshuar ndjeshëm klimën konfliktuale në rajon. Në këndvështrimin e analistit Ballkani e ka kaluar tashmë fazën e konflikteve.