Qeveria e Kosovës ka premtuar bojkot të mallrave serbe, ndërsa vet përfundoi e bojkotuar nga serbët
Analiza dhe sinteza!
Shkruan: Kimete Berisha
Unë jam e rritur në pjesën veriore të Mitrovicës, prandaj jam shumë e lumtur për çlirimin e qytetit nga votuesit serb.
Kam pas qejf me fitu ai kandidati shqiptar me setër pembe, të cilën e kishte kombinuar me soliterin prapa shpinës.
Setra e tij pembe ishte porosi e qartë se serbët nuk i merr seriozisht.
Mitrovica ka qenë e hirtë, por pas çlirimit të Kosovës serbët e kanë bojatisur pembe.
Tash që Veriu u çlirua nga votuesit serb, kryetari i tyre, kryetari boshnjak i Vetëvendosjes mund t’ua bëj Asociacionin, dhe kështu do të përçohej porosia se serbët nuk mund t’ia bëjnë vetes Asociacionin, ka kush e bën Asociacionin, e bëjmë vet, nuk kemi mbetur shkret.
Zgjedhjet në Veri e zbuluan se Kushtetuesja ‘ka gabuar’ kur ka thënë se Asociacioni është njëetnik.
Njëmijë e kusur shqiptarë që votuan, do të jenë pjesë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Apo jo!
Zgjedhjet në Veri, pa dashje, e demantuan Gjykatën Kushtetuese.
Kryeministri e di, po Presidentes ende nuk i ka treguar.
Pasi që e kuptova hartën e jetës së tij në Zodiak, se si Hëna e tij, porsi Hëna ime është në shenjën e Luanit, tash e tutje më duhet të jem më e matur kur ia përmend emrin….rrezik!
Se po nisem prej vetes…sa më keq sillesh me mua – bëhem më e keqe.
Sa më mbrapa po kthehet Aleksandër Vuçiq, aq më larg po shkon kryeministri.
Deri te lufta jemi kthyer me fjalë.
Kryeministri e ka fituar një adut, por nuk i ka fituar zgjedhjet në Veri.
Ai e di se zgjedhjet ishin legjitime, ashtu siç ishte legjitim edhe bojkoti.
Edhe bojkoti është protestë demokratike.
Kosova u kthye mbrapa në nivel komunal por jo edhe në nivel shtetëror.
Vizat, KE e këto përfitimet e tjera në shkëmbim të Asociacionit.
Asociacionin po e shesim jo bash-bash lirē si në aksham pazar. Sado-kudo, falim tokë për të fluturuar me aeroplan.
Por, anipse kryeministri e di se Kosova nuk ka fituar asgjë me zgjedhjet në Veri, tha:
Ishin zgjedhje të lira, të sigurta, të bojkotuara nga serbët e frikësuar nga Vuçiqi.
Secila fjalë e tij bie në kundëthënie me tjetrën.
A ia mbaroi Vuçiqi qejfin Kryeministrit?
Ia hoqi serbët nga udha: hajt tash, fitoje Veriun!
Ku i ke shqiptarët?
– I kanë shitur pronat e tyre!
E kush ua bleu pronat?
– Serbët!
E ku i morën paret ata fukarenjë të rrjepur?
– Qeveria e Serbisë ua ka paguar!
Qeveria serbe e ka blerë Veriun me pare.
Shqiptarët i kanë shitur pronat e tyre e kështu me radhë.
Qeveria e Kosovës ka premtuar bojkot të mallrave serbe, ndërsa vet përfundoi e bojkotuar nga serbët.
Ne shqiptarët, as sot nuk dimë t’i bojkotojmë keksat e serbëve, lëre më serbët.
Ne s’mund të bëjmë as ‘bojkot akademik’ ku s’lypset hiç me hëngër, se lëre më ku bëhet fjalë me rras.
Presidentja, përveç dembelicë ështe edhe naive. Tha: Serbia s’mund të ndërhyjë në Kosovë, por serbët i ka frikësuar Serbia.
Nuk ka logjikë. Nëse Serbia i ka frikësuar serbët, Osmane, do të thotë ka ndërhyrë.
Kryeministri tha se Serbia ka ndërhyrë.
Po, a ka ndërhyrë a s’ka ndërhyrë Serbia?!
Bojkoti serb kishte sukses.
Bojkoti tërhoqi vëmendje dhe e zbuloi atë që e kemi ditur, se pushteti pa njerëz është qesharak.
Prandaj sot kryeministri duket si semafor i ndezur në rrugët e braktisura të Meksikës.
P.S. Për sonte s’ka P.S!