Qeveria e Kosovës: Muajt e fundit nuk po e lexojmë shtypin serb
Qeveria e Kosovës është deklaruar rreth raportimeve të sotme të medieve serbe, ku citohen pjesë nga libri i Martin Heipertz.
Ky zyrtar, siç raporton shtypi serb, ka pohuar se Steven Schook është përgjegjës për vrasjen e një dëshmitari në rastin “Haradinaj”.
Kabineti i kryeministrit këtë e quan propagandë të moçme të Heipertz-it
Mediet serbe, gjatë ditës së sotme, raportuan për një person të vdekur që ka pasur të dëshmojë në Tribunalin e Hagës për rastin e Ramush Haradinajt.
Për këtë, shtypi serb citoi Martin Heipertz-in, i cili në librin e tij “Diplomacia Makiato”, kishte thënë se për vrasjen e një dëshmitari në këtë rast, ishte përkujdesur gjenerali Steven Schook.
Nga kabineti i kryeministrit janë deklaruar rreth kësaj, duke thënë se Qeveria nuk lexon mediet serbe qe një kohë.
“Jo Qeveria e Kosovës muajt e fundit nuk po e lexon shtypin serb. Nuk komentoj më asnjë shkrim. Përndryshe ICTY çdo akuzë të nivelit të tillë e ka hetuar në thellësi dhe çdoherë i ka hedhur poshtë akuzat e tilla”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.
Kredibilitet për Qeverinë nuk kanë edhe nëse diçka e tillë, e raportuar nga mediet serbe, është pohuar nga një zyrtar që ka qenë i angazhuar në Zyrën Ndërkombëtare Civile në Kosovë.
Zyra e kryeministrit e ka quajtur këtë një propagandë të Heipertz-it, që kishte ekzistuar edhe kur po gjykohej Haradinaj, por që Tribunali i Hagës i ka hedhur poshtë.
Gjenerali amerikan, Steven Schook, i cili në Kosovë ishte zëvendës i shefit të UNMIK-ut, është përgjegjës i drejtpërdrejtë për likuidimin e dëshmitarit të mbrojtur në procesin e Hagës kundër Ramush Haradinajt. Kështu pohon ish-këshilltari në Qeverinë gjermane, i cili kishte qëndruar në Kosovë, si ekspert për financa në mision zyrtar në Zyrën Ndërkombëtare Civile, Martin Heipertz, shkruan Telegrafi i Serbisë, duke cituar librin e tij “Diplomacia Makiato”.
“Ish-gjenerali amerikan Steven Schook, aktualisht njëri nga njerëzit e ranguar më së larti këtu në UNMIK, ka një dosje goxha të trashë kriminale dhe është i lidhur ngushtë me elitën e këtushme. Ai ka zbuluar emrat e dëshmitarëve kryesorë kundër Haradinajt, të cilët pastaj janë vrarë. Të njohurit tim i ka thënë se njeriu duhet të eliminojë dikë nga rruga nëse kjo u përgjigjet interesave më të larta”, citon Telegrafi serb të ketë shkruar Heipertz.