Qeveria e Kosovës pa qëndrim për taksën e Rrugës së Kombit
Taksa e vendosur nga Shqipëria për Rrugën e Kombit ka nxitur shumë reagime në Kosovë. Deputetë, analistë e zyrtarë qeveritarë kanë thënë se kjo tarifë është e lartë, dhe duhet të rishqyrtohet nga qeveria e Shqipërisë.
Mirëpo deri më tani Qeveria e Kosovës nuk ka një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë vendim.
Këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi ka thënë për lajmi.net se pasi është vikend, qeveria nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar për taksën e vendosur për Rrugën e Kombit.
“Sot është vikend, dhe qeveria ende nuk e ka ndonjë vendim zyrtar”, ka thënë Matoshi.
Por, këshilltari i kryeministrit nuk ka hezituar të jap qëndrimin e tij rreth këtij vendimi.
Matoshi ka thënë se shuma e vendosur për taksën është e lartë, dhe duhet të rishikohet.
“Unë personalisht mendoj që taksa është pak e lartë, dhe besoj se do të rishikohet”, ka thënë Matoshi për lajmi.net
Akuza të rënda ndaj këtij vendimi ka drejtuar Sali Berisha dhe Lulzim Basha nga Partia Demokratike në Shqipëri.
Berisha e Basha kanë shkruar në facebook se një vendim i tillë është barrierë nëdrmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Ndaj këtij vendimi kanë reaguar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës. Arben Gashi, Zafir Berisha, e Haxhi Avdyli kanë thënë se tarifa e vendosur nga qeveria shqiptare është mjaft e lartë.
Taksa për Rrugën e Kombit sa i përket veturave është 5 euro, për autobusë 11, kurse për kamionë 26 euro.
Kjo po del të jetë shumë më e madhe se në vendet e rajonit.
Autostrada Shkup-Tetovë ka taksë vetëm 1 euro, kurse ajo Nish-Beograd 7 euro, pasi është e gjatë mbi 220 kilometra.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka paralajmëruar ka bërë të ditur se edhe në autostradën Ibrahim Rugova do të ketë një taks të caktuar.