Qeveria e Kosovës zgjeron listën e afganëve që do të strehojë përkohësisht

21 gusht 2021 | 21:47

Qeveria e Kosovës ka miratuar të shtunën vendimin për zgjerim të listës së personave që do të strehojë përkohësisht nga Afganistani, si pasojë e krizës në këtë shtet.

Sipas vendimit të 21 gushtit, përveç personave që janë në listën e aplikimit për viza speciale të imigrimit në Shtetet e Bashkuara, mbrojtje e përkohshme do t’iu ofrohet edhe personave të kualifikuar në grupin me prioritet të dytë, si dhe familjeve të tyre.

Departamenti amerikan i Shtetit, ka njoftuar më 2 gusht se punëtorët aktualë dhe ata që kanë punuar në agjenci amerikane apo agjenci që pranojnë fonde amerikane, tani do të mund të aplikojnë për statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara.

Punëtorët dhe ish-punëtorët e Qeverisë amerikane apo ata të operacioneve ushtarake të NATO-s, që nuk përmbushin kriteret për programet speciale për viza, janë të përfshirë në listë, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.

Krijmi i listës “Prioriteti 2”, për afganët brenda Programit të Pranimit të Refugjatëve, do të mbulojë afganët dhe familjarët e tyre që “mund të jenë në rrezik për shkak bashkëpunimit me SHBA-në”, mirëpo nuk janë në gjendje të aplikojnë në programin special për viza të imigrantëve, meqë nuk kanë punuar drejtpërdrejt për Qeverinë afgane.

Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se ky program nënkupton se “mijëra afganë” dhe familjet e tyre kanë mundësi që kenë lejeqëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara si refugjatë.

Situata në Afganistan është përshkallëzuar nga 15 gushti, kur talibanët kanë fituar kontrollin e kryeqytetit të Afganistanit, Kabulit dhe kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.

Përveç Kosovës edhe vendet tjera në rajonin e Ballkanit si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë shprehur gatishmëri për të pranuar përkohësisht afganët.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje te qytetarët që të vaksinohen,…