Qeveria e Malit të Zi vendos sanksione ndaj Rusisë
Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Malit të Zi ka miratuar më 8 prill sanksione kundër Rusisë, për shkak të sulmit të paprovokuar kundër Ukrainës.
“Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, ka thënë zëvendëskryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq përmes një postimi në “Twitter”.
🇲🇪 @MeGovernment has adopted restrictive measures in response to Russia's war of aggression against Ukraine🇺🇦.
Thankful to all the ministers for their cooperation. @EUCouncil@ZelenskyyUa @jensstoltenberg @NATO @EUAmbME @USAmbMNE pic.twitter.com/OOxnMAa86x
— Dr Dritan Abazovic (@DritanAbazovic) April 8, 2022
Pas vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, institucionet qeveritare
duhet të ngrijnë pronat dhe burimet ekonomike të disa shtetasve dhe kompanive
ruse në Mal të Zi dhe të ndalojnë punën e mediave qeveritare ruse.
Hapësira ajrore malazeze ishte e mbyllur më parë për avionët rusë, sepse vendimi formal i Qeverisë nuk ishte i nevojshëm për atë vendim.
Për shkak të mungesës zyrtare të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, seancën e së premtes e ka drejtuar Abazoviq.
Më 1 mars, Mali i Zi në mënyrë deklarative iu bashkua sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë, por Qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq shmangu marrjen e një vendimi që ato të mund të zbatoheshin në praktikë.
Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq iu dha votë mosbesimi në fillim të shkurtit të këtij viti dhe deri më tani nuk është zgjedhur kryeministër i ri.