Qeveria e Maqedonisë aprovon marrëveshjen për emrin
Qeveria e Maqedonisë ka miratuar marrëveshjen e arritur me Greqinë për çështjen e emrit të shtetit maqedon.
Pas miratimit në Qeveri, kjo marrëveshje do të dërgohet sot në Kuvend për miratim, që më shumë gjasa do të vendoset në rend dite këtë të mërkurë.
Për miratimin e saj në Kuvend nevojitet një shumicë e thjeshtë, 61 deputetë. Nga kuorumi minimum i 61 deputetëve, 31 nevojitet që të votojnë pro. Sipas procedurave, ligji më pas edhe një herë dërgohet në presidencë.
Ndërkohë presidenti Ivanov në afat prej shtatë ditëve duhet të firmosë të njëjtin. Përderisa Ivanovi përdorë të drejtën e vetos, marrëveshja kthehet prapë në procedurë parlamentare, ndërsa atëherë do të nevojiten minimum 61 vota të deputetëve për miratimin e ligjit dhe i njëjti përsëri kthehet tek presidenti, i cili sipas Kushtetutës është i obliguar që ta firmosë, raporton “Alsat-M”.
Mirëpo presidenti Ivanov tashmë ka bërë me dije qëndrimin e tij se nuk do të firmos një marrëveshje të tillë.
Implementimi i marrëveshjes do të zhvillohet në disa etapa. Do të hyjë në fuqi pasi dyja palët do ta pranojnë në përputhje me procedurat e brendshme, ndërsa përderisa cilado palë nuk e pranon marrëveshjen atëherë ajo nënkupton se e njëjta nuk vlen.
Qytetarët do të thonë fjalën e tyre në referendum, i cili pritet të mbahet në shtator ose tetor.