Qeveria e Maqedonisë me emra të rinj, Zaevi do jetë edhe ministër i financave
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka publikuar propozimet për ministra të rinj.
Ai ka thënë se për një kohë të caktuar do ta drejtojë ministrinë e financave, ndërsa ministër i Bujqësisë është caktuar Trajan Dimkovski.
“Obligimin për ministër të financave do ta marrë personalisht unë për një kohë të caktuar së bashku me funksionin e kryeministrit. Javën tjetër do të dalim me propozimet për ndryshimet tjera kadrovike”, ka thënë Zaev.
Siç raporton “Alsat-m” ministër i ri për Ekologji do të emërohet Naser Nuredini, djalë i biznesmenit të njohur në Vjenë të Austrisë me prejardhje tetovare Aki Nuredini, derisa ministri i deritanishëm Sadulla Duraku pritet të emërohet ministër për Sistem Politik.
Ministër i Kulturës është propozuar Hysni Ismaili nga Alternativa e Afrim Gashit.
Me propozimin e emrave të ministrave të rinj RDK-ja mbetet pa ministri pasi me Pushtetin Lokal do të udhëheqë kreu i PLD-së Goran Milevski.