Qeveria e Medvedevit jep dorëheqje
Qeveria e kryeministrit të Rusisë, Dmitry Medvedev, ka dorëzuar të mërkurën dorëheqjen te presidenti Vladimir Putin.
Ky zhvillim vjen vetëm pak orë pasi Putin, gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, ka bërë thirrje për ndryshime të mëdha kushtetuese, që do të rrisnin kompetencat e parlamentit, përpara përfundimit të mandatit të tij, më 2024.
“Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, do të ketë ndryshime të rëndësishme, sa i përket balancës së pushtetit”
“Në këtë kontekst, ne, si Qeveri e Federatës Ruse, duhet t’ia sigurojmë presidentit të vendit tonë mundësinë për të ndërmarrë të gjitha vendimet e nevojshme. Në kushtet e tilla, mendoj se Qeveria e Federatës Ruse ka bërë hapin e duhur me dorëheqje”, ka thënë Medvedevi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv.
Putini, duke iu adresuar Asamblesë Federale, ka thënë se Kushtetuta e Rusisë, e vitit 1993, duhet ndryshuar, për t’i dhënë Dumës Shtetërore, që është Dhoma e Ulët e Parlamentit, të drejtën për të emëruar ministrat e kabinetit dhe kryeministrin.
Këto kompetenca aktualisht i takojnë presidentit.
Putini po ashtu ka thënë se Rusia duhet të mbetet “republikë e fuqishme presidenciale”.
“Presidenti duhet të ruajë të drejtën për të përcaktuar detyrat dhe përparësitë e qeverisë, si dhe të drejtën për të shkarkuar kryeministrin, zëvendësat e tij dhe ministrat federalë, në rast të moskryerjes së detyrave ose humbjes së besimit”, ka thënë Putini.
Ai po ashtu ka thënë se duhen ashpërsuar kushtet për t’u bërë president dhe se çdo president i ardhshëm duhet të ketë jetuar në Rusi për së paku 25 vjet dhe të mos ketë ndonjë shtetësi të huaj.
Putin, 67 vjeç, ka dominuar politikën ruse për dy dekada, duke shërbyer herë si president, herë si kryeministër nga viti 1999.
Në vitin 2018, ai është rizgjedhur president për një mandat të ri 6-vjeçar.
Me ligjin aktual, ai do të duhet të tërhiqet pas përfundimit të mandatit.