Qeveria e Përkohshme dhe përfundimi i luftës (20)

09 janar 2024 | 11:17

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (20)

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së njëzetë, ka folur për krijimin e Qeverisë së Përkohshme, e cila i dha fund përfaqësimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë.

Bardhyl Mahmuti ka theksuar se shumica e anëtarëve të Drejtorisë Politike dhe të Grupit Diplomatik u sistemuan në detyra të ndryshme të Qeverisë së Përkohshme.

Ai ka folur për takimet e delegacionit të Qeverisë së Përkohshme jashtë vendit, ku edhe vetë ishte pjesë e delegacioneve. Bardhyl Mahmuti ka treguar se nga data 14-17 prill 1999 qëndruan për vizitë zyrtare në Francë.

Gjatë kësaj kohe ata kanë realizuar 24 takime të rëndësishme në institucione të ndryshme dhe aty nuk munguan duartrokitjet dhe brohoritjet UÇK-UÇK.

“Epoka e re”: Konteksti që u krijua gjatë bisedimeve në Rambuje nxori si domosdoshmëri krijimin e një organi drejtues gjithëpërfshirës të forcave politike të Kosovës. Aty u morën vesh për krijimin e Qeverisë së Përkohshme, e cila duhej të fliste me një zë të unifikuar. Cili ishte roli i Drejtorisë Politike të UÇK-së pas mandatit që ju dha z. Thaçi për krijimin e Qeverisë së Përkohshme?
Bardhyl Mahmuti: Krijimi i Qeverisë së Përkohshme i dha fund përfaqësimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet përfaqësuesve të vet politikë. Shumica e anëtarëve të Drejtorisë Politike dhe të Grupit Diplomatik u sistemuan në detyra të ndryshme të qeverisë dhe në të gjitha takimet diplomatike që kemi pasur gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, kemi përfaqësuar Qeverinë e Përkohshme të Kosovës! Megjithatë, jo rrallë mediet nxirrnin në rend të parë rolin që kemi pasur në kuadër të UÇK-së.

No description available.

No description available.

“Epoka e re”: Përkundër asaj se ju mbeti hatri nga “loja” me emrat e përfaqësuesve politikë të UÇK-së pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë, ju vazhduat të angazhoheshit në kuadër të Qeverisë së Përkohshme?
Bardhyl Mahmuti: Në kontekst të përmasave të tilla të gjenocidit që përjetonin shqiptarët e Kosovës, nuk kanë vend hatëret dhe teket e njerëzve. Jam përpjekur të jap kontributin tim qoftë në takimet individuale, qoftë në kuadër të delegacioneve të Qeverisë së Përkohshme.

“Epoka e re”: Kush ishte në përbërje të delegacioneve dhe cilat takime do t’i veçonit ku keni marrë pjesë në kuadër të delegacionit të Qeverisë së Përkohshme?
Bardhyl Mahmuti: Së bashku me Jakup Krasniqin (zëdhënës i qeverisë dhe ministër për Rindërtim) dhe Bilall Sherifin (këshilltar për çështje të politikës së jashtme i kryeministrit Thaçi) nga data 14-17 prill 1999 qëndruam për vizitë zyrtare në Francë. Gjatë kësaj kohe kemi pasur 24 takime të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme (me ministrin Huber Vedrin); në Presidencë (me sekretarin e presidentit Chirac); në Asamblenë Parlamentare, me Komisionin për Politikë të Jashtme; në Ministrinë e Mbrojtjes dhe përfaqësues të shoqërisë civile, që ishin mobilizuar kundër gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Intelektualët që organizuan Mitingun e Solidaritetit me Kosovën na ftuan të merrnim pjesë, por autoritetet franceze kishin frikë për sigurinë e Jakup Krasniqit dhe nuk merrnin përsipër ta shoqëronin. Kështu, në këtë takim, shkova vetëm unë. Në panelin e këtij mitingu ishin shkrimtarët Bernard-Henri Lévy, Gilles Hertzog, eurodeputetit Daniel Cohn-Bendit, filozofi André Glucksmann, Ismail Kadare, Muhamedin Kullashi dhe personalitete të tjera të jetës politike dhe kulturore të Francës. Në sallën plot e përplot me intelektualë m’u bë një pritje e jashtëzakonshme: Kur më paraqiti organizatori, të gjithë u çuan në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur UÇK-UÇK!

No description available.

Në këtë rast vlen të theksohet se për organizimin e këtij mitingu një rol jashtëzakonisht të madh kanë luajtur Ismail Kadare dhe Muhamedin Kullashi!
Një muaj më vonë, saktësisht më 26-30 maj, së bashku me kryeministrin Thaçi dhe këshilltarin për çështje të politikës së jashtme, Bilall Sherifi, patëm një varg takimesh të një rëndësie të veçantë në Paris, në Bon dhe në Bruksel.

“Epoka e re”: Në çfarë niveli ishin takimet e juaja?
Bardhyl Mahmuti: Takimi i parë në nivel ministror ishte paraparë të bëhej me ministrin e Jashtëm francez Huber Vedrin dhe rreth këtij takimi na dolën disa telashe. Nëpërmjet miqve që kisha në Paris arrita të kuptoj se takimi me ne nuk figuronte në protokollin e kësaj ministrie dhe nuk ishte paraparë të mbahej konferencë me gazetarët. Menjëherë kërkuam sqarime. Kur e kuptuan se ne ishim në dijeni të asaj çfarë shkruhej në protokollin shtetëror, u vërejt hidhërimi i ekipit që preokupohej për sigurinë tonë në hotel! Ne refuzuam t’i pranonim arsyetimet e tyre se një gjë e tillë ishte bërë për çështje sigurie dhe i njoftuam se të nesërmen do të udhëtonim për në Bon nëse nuk zyrtarizohej takimi dhe nëse nuk mbahej konferencë me gazetarët. Rreth dy orë më vonë ministri Vedrin më mori në telefon dhe më informoi se keqkuptimet ishin tejkaluar. Dhe ashtu ndodhi: takimi u protokollua dhe konferenca me gazetarë u mbajt në Quaid’Orsay!
Takimet vazhduan në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë (me ministrin e Jashtëm, Joseph Martin Fischer, i njohur si Joschka Fischer); në selinë e NATO-s në Bruksel (ku takuam komandantin e përgjithshëm të NATO-s, gjeneralin Wesley Clark dhe një grup të ambasadorëve të NATO-s, të cilëve iu printe ambasadori amerikan Alexander Vershbow).
Në të gjitha takimet është diskutuar rreth modaliteteve të tërheqjes së pushtetit politik dhe forcave të armatosura serbe nga Kosova dhe kërkohej qëndrimi ynë rreth këtyre çështjeve. Për lexuesin po veçoj takimin që kemi pasur me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Strobe Talbott, i cili, së bashku me Viktor Çernomirdin dhe Martti Ahtisaari, përbënin Treshen që negocionte ndërprerjen e luftës.
Duke bërë krahasimin se si ishte vepruar në situata analogjike për t’ia pamundësuar kriminelit të kthehet në vendin e krimit, delegacioni i Kosovës mori shembullin se si iu ndalua Irakut zona ajrore në jug të paraleles 32, që përfshinte një territor prej 140 mijë km² (sa 13 herë territori i Kosovës) dhe kërkoi që të veprohet në mënyrë të njëjtë edhe me Serbinë, duke ua ndaluar forcave serbe t’i afroheshin Kosovës në një distancë tokësore dhe ajrore prej 20 km.
E ndiej si obligim të ndaj me lexuesin edhe një fakt. Mikesha e Adem Demaçit, që u përmend më lart, senatorja belge Anne-Marie Lizin, përveç që na organizoi një numër takimesh të rëndësishme me senatorë belgë dhe një darkë me ambasadorin Daan Everts, i cili në periudhën e pasluftës (1999-2001) ishte shefat i Misionit të OSBE-së në Kosovë, zonja Lizinajo na e la në shërbim vilën e saj private gjatë gjithë kohës sa kemi qëndruar në Bruksel.
Nga Brukseli unë u ktheva në Zvicër për një takim tjetër, ndërkaq kryeministri Thaçi dhe këshilltari për çështje të politikës së jashtme, Bilall Sherifi, vazhduan për Londër, në takim me ministrin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Robin Cook.

“Epoka e re”: Të ndalemi te një detaj! Pas përfundimit të luftës, Serbisë iu ndalua t’i afrohej kufirit administrativ të Kosovës në një distancë prej 5 km. A mendoni se në këtë vendim ka mundur të ndikojë kërkesa juaj?
Bardhyl Mahmuti: Nuk kam asnjë mundësi të verifikoj një hipotezë të tillë. Sidoqoftë, kërkesat tona dëshmonin për qasjen serioze të angazhimeve të Qeverisë së Përkohshme për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë rrezikut të destabilizimit të kësaj pjese të Evropës Juglindore.

“Epoka e re”: Pas sulmeve të pandërprera ajrore të NATO-s kundër caqeve të forcave të armatosura serbe, nga 24 marsi 1999 deri më 9 qershor 1999, regjimi i Sllobodan Millosheviqit u detyrua ta nënshkruajë “Marrëveshjen Ushtarako-Teknike” në Kumanovë, e cila shënoi fundin e strukturave politike të pushtetit të instaluar nga Millosheviqi në Kosovë dhe tërheqjen e forcave të armatosura (ushtarake dhe policore) nga Kosova. Një ditë pas kësaj marrëveshje, më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, nëpërmjet së cilës përcaktohej korniza juridike e pranisë civile ndërkombëtare dhe e sigurisë në Kosovë deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Kjo marrëveshje i dha fund luftës në Kosovë!
Bardhyl Mahmuti: Përfundimi i luftës në Kosovë hapi “dyert e teatrit” ku ishte vënë në skenë gjenocidi kundër shqiptarëve. Të parët që u kthyen në vend ishin “aktorët” që në këtë “skenar tragjik” përbënin kolonat e spastrimit etnik. Për shkak të afërsisë gjeografike, të dëbuarit që kishin gjetur strehim në viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Bosnjë u kthyen javën e parë, ndërsa qindra mijëra të tjerë u kthyen nga shtetet e demokracive perëndimore, në veçanti nga Zvicra, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, ShBA-ja, Kanada, Australia ku kishin gjetur strehim të përkohshëm dhe trajtim tejet human. Nga data 12 qershor e deri në muajin gusht të vitit 1999 rreth një milion shqiptarë që ishin dëbuar me dhunë u kthyen në Kosovë.
Ata gjetën një vend të rrënuar. Pasojat e gjenocidit në Kosovë ishin shumë të mëdha. Krahas numrit të madh të të vrarëve dhe të të zhdukurve, numër që dikujt mund t’i duket i vogël nga këndvështrimi i tij “negacionist”, në Kosovë ishin shkatërruar “100 589 shtëpi, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka, 123 institucione shëndetësore, 220 objekte të kultit fetar (215 xhami, teqe, tyrbe dhe 5 kisha katolike)…”.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, ka…