Qeveria e re dhe opozita, me platformë unike për dialogun me Serbinë

30 tetor 2019 | 16:13

Njohësi i proceseve politike dhe zgjedhore, Mazllum Baraliu, ka vlerësuar se qeveria e ardhshme duhet ta ndryshojë qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

Ai ka thënë se duhet të jetë prioritet i qeverisë së re që të ulet së bashku me opozitën për hartimin e një platforme të përbashkët për të shkuar në mënyrë unike në dialogun me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Baraliu ka thënë se nuk duhet të vonohet formimi i institucioneve të reja. Sipas tij, një prej prioriteteve të qeverisë së re duhet të jetë reforma zgjedhore e cila do t’i eliminonte vonesat dhe gabimet që po ndodhin.

Baraliu ka vlerësuar se procesi zgjedhor i 6 tetorit ka qenë një prej proceseve më të mira dhe më demokratike të zhvilluara ndonjëherë në historinë politike dhe në demokracinë tonë

“Epoka e re”: Z. Baraliu, si e komentoni procesin zgjedhor dhe ecurinë e deritanishme të tij?
Baraliu: Procesi elektoral i 6 tetorit ishte një prej proceseve më të mira dhe më demokratike të zhvilluara ndonjëherë në historinë politike dhe në demokracinë tonë. Ishte proces i qetë, pa incidente dhe pa shkelje serioze të cilat do të mund ta dëmtonin. Ky proces përfundoi me një efikasitet të paparë të KQZ-së duke arritur për disa orë t’i publikojë rezultatet preliminare. Ndërsa ankesat dhe rinumërimi i më shumë se 800 vendvotimeve mendoj se janë pjesë natyrale e procesit.

“Epoka e re”: Por rinumërimi ka evidentuar dhjetëra gabime qofshin ato me apo pa dashje.
Baraliu: Nuk ka proces pa gabime, madje gabimet që po i përmendni janë simbolike. Janë gabime teknike. Në një rubrikë të caktuar, në një formular, nuk është shënuar një numër i duhur, por edhe gabimet njerëzore që kanë qenë rrjedhojë e lodhjes së tepërt të komisionarëve dhe pjesëmarrësve në proces. Mirëpo e rëndësishme është se nuk ka pasur manipulime. Në disa vendvotime ku janë rinumëruar me qindra fletëvotime vetëm një apo dy vota jenë kontestuese dhe ato kanë mundur të korrigjohen nga kontrolli i dyfishtë në QNR dhe nuk ka pasur nevojë për rinumërim. Në tërësi rinumërimi nuk e ka cenuar procesin zgjedhor i cili është zhvilluar në përputhje me standardet evropiane. Procesi elektoral ka treguar kulturë dhe pjekuri demokratike të të gjithë aktorëve pjesëmarrës. E vetmja vërejtje që mund t’i bëhet është zvarritja pa nevojë si dhe vendimet kontradiktore të institucioneve nga KQZ-ja, PZAP-i e deri te Gjykata Supreme.

“Epoka e re”: Këto gabime e vonesa do t’i eliminonte reforma zgjedhore?
Baraliu: Po. Reforma zgjedhore është e domosdoshme tash e sa vite për arsye se Ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligji për zgjedhjet lokale janë trashëgimi e administratës së UNMIK-ut dhe të papërpunuara mirë, madje janë kontradiktore dispozita me dispozitën dhe neni me nenin. Prandaj për reformë zgjedhore ka nevojë gjithsesi, por edhe më tutje mungon vullneti politik. Duhet rikujtuar se para disa vjetësh Kuvendi pati formuar Komisionin Parlamentar për hartimin e ligjit të ri për zgjedhjet e përgjithshme i cili ka paraparë reformën që nga zonat zgjedhore e deri te pragu zgjedhor, por mungesa e vullnetit politik ka pamundësuar jetësimin e këtij ligji. E njëjta gjë pati ndodhur edhe me reformën kushtetuese. Reforma elektorale është imperativ kohe, e pashmangshme dhe imediate. Qeveria e re duhet ta ketë reformën zgjedhore ndër prioritetet e para nëse dëshiron ta avancojë demokracinë si dhe të ketë mungesë të gabimeve që po ndodhin. Ka shumë gjëra që duhet të reformohen dhe kjo do të bëhej më së miri me përpilimin e një kodi zgjedhor ku do të përfshihen Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, Ligji për zgjedhjet lokale, Ligji për financimin e partive politike dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së.

“Epoka e re”: Aktualisht është duke vazhduar ‘beteja’ për vota që kanë ardhur nga diaspora pas 6 tetorit, mbi 4 000 sosh. Si duhet të veprohet me këto vota dhe votat e ardhura nga Serbia?
Baraliu: Votat e ardhura në mënyrë të kundërligjshme nga Serbia tashmë janë numëruar dhe KQZ-ja i ka pranuar pavarësisht prej kundërshtimit të disa anëtarëve. Më shumë se 4 000 vota të ardhura pas 5 tetorit nga diaspora janë objekt i Gjykatës Supreme dhe PZAP-it. Mendoj se këto vota janë të padiskutueshme dhe Supremja ka vepruar drejt duke sugjeruar PZAP-in që të urdhërojë KQZ-në t’i numërojë sepse qytetarët tanë në diasporë e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës brenda afatit dhe nuk është as faji i tyre se ato kanë mbërritur pas 5 tetorit. Formalo-juridikisht PZAP-i ka të drejtë që ta konsiderojë shkelje sepse formalisht nuk është arritur afati, pra ka kaluar 5 tetori, por që nuk është faji i tyre vonesa. Vendimet kontradiktore dhe me standarde të dyfishta nuk i kontribuojnë mbarëvajtjes së procesit. Do të duhej që të njëjtin standard që ka pasur KQZ-ja ndaj votave të ardhura nga Serbia ta aprovojë edhe ndaj votave të diasporës, pra t’i pranojë edhe këto. Paraprakisht KQZ-ja pati marrë një vendim të drejtë dhe pragmatik për moslejimin e votimit me dokumente të tjera, përveç dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës.

“Epoka e re”: Bazuar në këtë proces zgjedhor dhe rezultatin përfundimtar, si e shihni konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë?
Baraliu: Procesi nuk duhet të zvarritet dhe nëse nuk ka ankesa të tjera duhet të bëhet shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre. Pastaj presidenti në afat prej një muaji është i obliguar që ta caktojë mbledhjen e parë konstituive të Kuvendit ku zgjedhën organet e tij dhe pastaj formohet qeveria. Do të ishte mirë që të mos ketë zvarritje të mëtutjeshme, sepse është fundi i vitit dhe duhet aprovuar Ligji për buxhetin i cili nuk mund të procedohet nga qeveria në dorëheqje, por duhet nga qeveria e re si dhe çështjet e tjera që presin.

“Epoka e re”: Cilat mendoni se do të jenë problemet dhe sfidat e qeverisë së ardhshme?
Baraliu: Gabon shumë kushdo që mundohet të kalkulojë në zvarritje të procesit dhe përfitim të përkohshëm qoftë në vendimmarrje, qoftë në pengim të krijimit të institucioneve të reja. Nuk do të duhej që të mbahet peng procesi dhe formimi i institucioneve. Ka nevojë që të veprohet me urgjencë dhe të merret mandati nga fitimtarët e rinj në mënyrë që të vazhdohet zgjidhja e shumë problemeve me të cilat jemi ballafaquar këto vite.

“Epoka e re”: Çfarë pritjesh keni nga dialogu që do të drejtohet nga qeveria e re?
Baraliu: E shoh si një imperativ të domosdoshëm të qeverisë së re. Duhet të jetë prioritet i qeverisë së re që të ulet së bashku me opozitën për hartimin e një platformë të përbashkët për të shkuar në mënyrë unike në dialogun me Serbinë. Pastaj Brukseli dhe Beogradi duhet të kenë frymë dhe përgjegjësi tjetër ndaj Kosovës, pra Kosova në këtë proces nuk do të jetë e defaktorizuar si subjekt i pabarabartë dhe të pranojë të bisedojë për çështjet e brendshme me Serbinë. Moszbatimi i marrëveshjeve të arritura me Serbinë ka bërë që Kosova të stagnojë si në procesin e njohjeve, po ashtu edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Do të duhej një platformë unike pozitë-opozitë e vendosur në parime dhe kërkesa ndaj Serbisë.

“Epoka e re”: Prisni avancim në çështjet e brendshme dhe në agjendën evropiane?
Baraliu: Duke pasur parasysh dinamikën e takimeve të partnerëve të koalicionit të ardhshëm pres që të ketë harmonizim dhe bashkim të politikave dhe platformave si në aspektin e brendshëm, po ashtu edhe në atë të jashtëm. Qeveria e re do të ketë një qasje tjetër në dialog me Serbinë, ku fillimisht do të dialogohet me serbët lokalë, pastaj me Serbinë pa u ngutur, sepse ngutja nuk e përcakton përmbajtjen. Kosova nuk ka nevojë të ngutet, dialogu nuk është i ngutshëm për Kosovën, por është zgjidhje e problemeve të brendshme nga ekonomia e deri te arsimi, shkenca dhe kultura. Nuk duhet të ketë përmbushje të kërkesave të Serbisë për çështje të brendshme dhe për interesa të saj në dëm të interesave të Kosovës, duke diskutuar kryesisht për punë të brendshme të Kosovës deri te vendosja në tavolinë e pasurive natyrore dhe e territorit. Kjo nuk ishte as rruga dhe as platforma e duhur por, përkundrazi, ishte e papranueshme dhe kjo praktikë duhet të ndryshohet.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra kampione e Kosovës, Feronikeli nëpërmjet një postimi në faqen…