Qeveria e re izraelite do të betohet të enjten
Betimi i qeverisë së re të unitetit në Izrael është shtyrë për një ditë për shkak të vizitës së paralajmëruar të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Ceremonia e betimit ishte paraparë të ndodhë të mërkurën, por ajo është shtyrë për të enjten.
Një zëdhënës i partisë Likud të kryeministrit, Benjamin Netanyahu, i tha AFP-së se shtyrja do të ndodhë “për shkak të vizitës” së diplomatit të lartë amerikan të mërkurën.
Vizita e Pompeos vjen pasi administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, mbështet planet e Netanyahut për të aneksuar pjesën më të madhe të Bregut Perëndimor të okupuar.
Qeveria e re e Izraelit është rezultat i një marrëveshje që i lejon Netanyahu të vazhdojë si kryeministër edhe për 18 muaj të tjerë, para se ish-shefi ushtarak dhe rivali i tij politik, Benny Gantz të marrë postin për të njëjtën periudhë.
Netanyahu ka siguruar pjesëmarrjen e Gantz dhe aleatëve të qendrës së majtë në koalicionin e tij së bashku me partitë ultra-ortodokse.
Izraeli për më shumë se një vit ka qenë në krizë politike, pasi asnjëra nga partitë politike nuk arrinte të fitonte shumicën e nevojshme në parlament për të formuar qeverinë./rel/