Qeveria e re malazeze s’duhet që ndryshojë qëndrim për Kosovën, thotë Jakov Milatoviç
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për “The Guardian”, duke folur për formimin e qeverisë së re malazeze, dhe koalicionin që lideri i Lëvizjes “Evropa Tani”, Milojko Spajiç, ka bërë me partitë pro ruso-serbe, ka thënë se objektivi kryesor i tij ka qenë që të sigurojë një “super-shumicë” në parlament për të zhbllokuar reformat në drejtësi”.
Milatoviç bëri të qartë orientimin e tij dhe të shtetit malazez sa i përket disa prej çështjeve të rëndësishme, përfshirë edhe pavarësinë e Kosovës – të cilën partitë pro ruso-serbe që do të jenë pjesë e qeverisë së 44-të e kanë kundërshtuar ashpër.
“Si president kam qenë shumë i qartë që nga zgjedhjet se tre objektivat e politikës së jashtme mbeten: anëtarësimi më i besueshëm në NATO, përafrimi 100 për qind me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke përfshirë sanksionimin e Rusisë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën”, ka theksuar Milatoviç.
Prandaj, ka pohuar kreu malazez, “këto janë parimet që pres nga qeveria e re”.
Ai është shprehur i bindur se orientimi pro-perëndimor i Malit i Zi nuk do të ndryshojë edhe pse kryeministri i ardhshëm Spajiç, ka bërë koalicionin me partitë pro ruso-serbe.
Sipas marrëveshjes të nënshkruar javën e kaluar, qeveria e 44-të e Malit të Zi do të përbëhet nga Lëvizja “Evropa Tani (PES)” – si bartëse e koalicionit, pas fitore në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit – Demokratët, Partia Popullore Socialiste, Forumi Shqiptar, Aleanca Shqiptare, dhe me mbështetjen e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro ruso-serb.
Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i ardhshëm malazez, njëherit lideri i Lëvizjes “Evropa Tani” Milojko Spajiç, liderët e “Demokracisë së Re Serbe”, Andrija Mandiç, Partisë Popullore Demokratike, Milan Knezheviç, Demokratit Aleksa Beçiç, Partisë Popullore Socialiste Vladimir Jokoviç, dhe CIVIS-it të Srdan Paviçeviç.
Po ashtu, nënshkrues të marrëveshjes janë edhe liderët e pesë partive shqiptare, tri të përbërë nga Forumi Shqiptar: Nik Gjeljoshaj, Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha dhe dy që janë në koalicionin e Aleancës Shqiptare: Fatmir Xheka dhe Genci Nimanbegu.