Qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë përballjen me PDK-në
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bajrush Xhemajli, ka thënë se zgjedhjet e 6 tetorit janë më të mirat që janë mbajtur deri më tani në Kosovë.
Ai ka vlerësuar se rinumërimi i qindra vendvotimeve nuk e cenon procesin zgjedhor.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Xhemajli ka paralajmëruar se PDK-ja do të bëjë opozitë të fuqishme.
Sipas tij, qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë përballjen me PDK-në.
Xhemajli ka thënë se propaganda e opozitës, koalicioni PAN dhe qëndrimi i gjatë në qeverisje kanë qenë faktorët që kanë penalizuar PDK-në në zgjedhjet e 6 tetorit.
Megjithatë, ai ka theksuar se nuk janë ndarë keq me vota, pasi që kanë më shumë se në dy palë zgjedhjet e fundit
“Epoka e re”: Z. Xhemajli, si e vlerësoni procesin zgjedhor të 6 tetorit i cili po ballafaqohet me disa gabime teknike, në veçanti sa i përket numërimit të votave?
Xhemajli: Konsideroj se zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë prej zgjedhjeve më të mira që janë mbajtur deri më tani në Kosovë. Procesi zgjedhor ka qenë i rregullt dhe rinumërimi që po bëhet nuk e cenon tërësinë e tij. Rinumërimi është legjitim, por edhe ky rinumërim po tregon se, megjithatë, është votuar mirë. Pra, pas rinumërimit nuk ka pasur ndryshim radikal të rezultatit, edhe pse deri më tani janë rinumëruar mbi 800 vendvotime.
“Epoka e re”: Sipas këtij rinumërimi, është dëmtuar edhe PDK-ja, siç ishte rasti i fundit në një vendvotim në Lipjan, ku i janë mohuar 167 vota. Pse ka heshtje të zyrtarëve të PDK-së për këto gabime?
Xhemajli: Është e vërtetë se rinumërimi ka evidentuar pak shkelje duke marrë parasysh se në këtë proces të votimit kanë marrë pjesë mbi 800 mijë qytetarë. Çdo kund ka njerëz që e prishin procesin. Madje edhe në një dasmë ndodhin gjëra jo të mira e lërë më në një proces zgjedhor ku ka kaq shumë votues. Rinumërimet nuk mendoj se e prishin procesin, edhe pse këto gabime që kanë ndodhur nuk janë të mira. Megjithatë, organet kompetente duhet të hetojnë nëse këto gabime janë bërë qëllimisht apo rastësisht.
“Epoka e re”: Ju po thoni se rinumërimi nuk ka ndikuar në përmbysje të rezultatit, megjithatë koalicioni Nisma-AKR-PD për një numër të vogël të votave është duke luftuar për ta kaluar pragun.
Xhemajli: E kisha fjalën për rezultatin në mes të partive të para sepse rinumërimi ka mundësi që të ndryshojë diçka te ky koalicion dhe te kandidatët për deputetë, mirëpo nuk do të ketë ndryshim të madh. Megjithatë, procesi i rinumërimit është duke u monitoruar siç duhet nga vëzhguesit vendorë e ndërkombëtarë dhe kjo është e mirë, sepse nuk ka hapësirë për t’i mbetur hatri ndokujt.
“Epoka e re”: Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, PDK-ja ka dalë partia e tretë dhe do të jetë në opozitë. A ishte i pritur ky rezultat?
Xhemajli: Kemi besuar se do të fitojmë edhe kësaj radhe, por nuk jemi ndarë keq me vota për faktin se pushteti të konsumon. Kemi qenë gjatë në qeverisje dhe, pavarësisht krejt punëve të mira dhe të mëdha që i kemi bër,ë ka mundur të ketë edhe lëshime e gabime për të cilat, mbase, edhe jemi ndëshkuar! Por, në raport me zgjedhjet lokale i kemi diku mbi 13-14 mijë vota më shumë dhe kemi shumë më shumë vota sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare. Elektorati na është hakmarrë për shkak të konkurrimit me PAN-in dhe na doli keq ky koalicion, sepse në zgjedhjet e 6 tetorit të vetëm arritëm gati votat e krejt PAN-it. Në fakt, PDK-ja në kuadër të PAN-it ka marrë shumë më pak vota. Në mandatin e fundit qeverisës, siç duket, nuk kemi arritur që të harmonizohemi në atë masë sa të ketë një qeverisje të mbarë dhe dorëheqja e z. Ramush Haradinaj tregoi se kjo nuk shkon më tutje.
“Epoka e re”: Cila mendoni se ka qenë arsyeja kryesore për humbjen e PDK-së?
Xhemajli: Të gjithë u bënë kundër PDK-së dhe e gjithë ajo propagandë sigurisht se ka pasur efektin e vet. Siç duket ka pasur efekt propaganda e orkestruar pothuajse që një dekadë, sidomos kjo në kohët e fundit. Natyrisht se në këtë rezultat ka ndikuar edhe bashkëqeverisja e PAN-it si dhe qëndrimi i gjatë në pushtet. Propaganda e opozitës, koalicioni PAN dhe qëndrimi i gjatë në qeverisje janë tre faktorët që na kanë penalizuar në një farë forme.
“Epoka e re”: Ju pas 12 vjetësh do t’i ktheheni Kuvendit e PDK-ja opozitës. Cili do të jetë roli i juaj në Kuvend dhe i PDK-së në opozitë?
Xhemajli: Grupi Parlamentar i PDK-së do ta bëjë një punë profesionale dhe të organizuar mirë. Do të jemi opozitë e fuqishme e cila do të ngrehë zërin për çdo problem, prandaj qeveria e re nuk do ta ketë të lehtë përballjen me PDK-në. PDK-ja do ta ketë grupin parlamentar më të fortë dhe me kapacitete të duhura për të bërë opozitë të fuqishme, kështu që në thembër do të na kenë. Bazuar në rezultatin e deritanishëm, unë jam radhitur në dhjetëshen e parë të PDK-së, kam marrë mbi 11 mijë vota dhe jam i kënaqur me këtë rezultat. Prej marsit të vitit 2012 nuk jam pjesë e institucioneve të Kosovës, kurse në Kuvend po rikthehem pas 12 vjetësh. Jam i kënaqur sepse më 6 tetor më është dhënë një votë fisnike dhe kam ardhur këtu pa premtuar asgjë. Fushata ime ka qenë modeste dhe pa premtime, kush ka dashur të më votojë më ka votuar. Në fakt, asnjëherë kur kam qenë pjesë e garave nuk kam premtuar gjëra pa mbulese dhe vetëm sa për të marrë vota. Kam premtuar se do ta përfaqësoj denjësisht elektoratin tim në Kuvendin e Kosovës dhe për këtë jam i përgatitur dhe kam përvojë të mjaftueshme.
“Epoka e re”: PDK-ja do të jetë opozitë më e fuqishme sesa që ishte Vetëvendosja që pati përdorur edhe gazin lotsjellës?
Xhemajli: PDK-ja nuk do t’i përsëritë skenat e gazit. Përdorimi i gazit ka qenë gabimi më i madh i rivalëve tanë në opozitë për faktin se kanë përçuar një imazh tepër të keq të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Do të jemi shumë konstruktiv dhe me kompetencë do t’i ngrehim të gjitha problemet si dhe sigurisht se do t’ia dalim shumë shpejt për t’u rikthyer në qeverisje.
“Epoka e re”: PDK-ja do të jetë opozitë konstruktive dhe do t’i mbështesë proceset e rëndësishme për vendin?
Xhemajli: Pa hile do të punojmë për Kosovën. Jam i bindur se çdo gjë që është në të mirë të Kosovës do ta aprovojmë pavarësisht se kush e inicion, por do ta pengojmë çdo kënd që u bënë keq proceseve në Kosovë. Do të jemi aty për t’i çuar proceset përpara. PDK-ja e ka konceptin e vet opozitar dhe sigurisht se ai do të jetë më i mirë sesa i të gjithë të tjerëve.
“Epoka e re”: Si e komentoni formimin e qeverisë së re në mes të Vetëvendosjes dhe LDK-së?
Xhemajli: Formimi i institucioneve po vonohet pa nevojë dhe kjo dukuri ka qenë edhe më herët. Pra, është dashur të pritet me muaj për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Uroj që rivalët tanë politikë të gjejnë gjuhë të përbashkët në këtë pikë dhe ta kemi sa më shpejt Kuvendin funksional dhe qeverinë e re.
“Epoka e re”: Z. Xhemajli, si do të jetë Kosova nën drejtimin e qeverisë Kurti?
Xhemajli: Secilit duhet dhënë hapësirë kohore për të parë se çfarë do të bëjë meqë ka premtuar shumë. Ato që i kanë premtuar absolutisht nuk mund t’i realizojnë. Mendoj se nuk është mirë që të premtohet ajo që nuk realizohet dhe ata kanë premtuar gjëra të tilla.
“Epoka e re”: Qeverinë e re e presin shumë sfida, përfshirë këtu edhe procesin e dialogut. Mendoni se qeveria Kurti do të mund t’i finalizojë me sukses këto procese?
Xhemajli: Uroj të bëhet siç kanë premtuar, sepse unë e dua më të mirën për Kosovën. Megjithatë, Vetëvendosja dhe LDK-ja janë parti të provuara në jetën tonë politiko-shoqërore. LDK-ja ka bashkëqeverisur me ne, me Aleancën dhe brenda këtyre 20 vjetëve krejt pak nuk ka qenë pjesë e qeverisë dhe i është parë marifeti. Edhe Vetëvendosja nuk mund të thotë se nuk ka qeverisur për faktin se e ka qeverisur Prishtinën dhe bash asgjë nuk ka ndryshuar. Po ashtu, edhe në Prizren nuk ka qeverisur më mirë dhe nuk besoj se qytetarët janë të kënaqur me punën e Mytaher Haskukës. Madje mendoj se shumë më mirë kemi qeverisur ne se të gjithë të tjerët në Prizren dhe në Dardanë. Prandaj, një koncept i qeverisjes së tyre është parë, por ato çfarë kanë premtuar nuk i kanë realizuar. Si në nivelin lokal edhe në atë qendror e njëjta qeverisje është sepse janë njerëzit e njëjtë. Nuk do të doja që këta t’i zhgënjejnë qytetarët, por jam i bindur se do t’i zhgënjejnë.
“Epoka e re”: Po procesin e dialogut me Serbinë, si e shihni të udhëhequr nga kryeministri Kurti?
Xhemajli: Dialogu asnjëherë nuk është i lehtë pavarësisht se për çfarë bëhet e lëre më për çështjet më të rëndësishme, siç është ai i Kosovës me Serbinë. Uroj që në këtë pikë të shkojnë punët mbarë sepse po të mos shkojnë mbarë do të humbet Kosova. Dialogu nuk është çështje e një partie, por është çështje shtetërore dhe këtu duhet të jemi sa më mirë. Mirëpo edhe këtu Albini do të shohë se sa vështirë është dhe se nuk do të mund të veprojë siç fliste në opozitë. Do ta ketë shumë të vështirë për ta finalizuar këtë proces dhe arritjen eventuale të marrëveshjes përfundimtare. Bisedimet kanë filluar moti dhe nuk mund të flasim për periudha të caktuara kohore, sepse edhe mund të arrihet shpejt marrëveshja, por edhe të mos arrihet as në këtë mandat. Ai do ta ketë të vështirë dhe e ka ditur këtë, megjithatë pushteti është i ëmbël dhe ka dashur që ta marrë me çdo kusht, madje duke premtuar edhe gjëra që nuk mund t’i realizojë. Ashtu siç i kanë premtuar gjërat nuk do të mund t’i realizojnë, megjithatë mbetet të shihet puna e tyre.
Shqipe HETEMI