Qeveria e re nuk ka të bëjë asgjë me parimet

30 prill 2020 | 18:17

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi presidenti Hashim Thaçi ka dekretuar Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër i qeverisë së re.

Ai ka thënë se Hoti në cilësinë e ish-zëvendëskryeministrit para tre muajsh e lavdëronte shefin e tij Albin Kurtin si kryeministër i shpresës. “Tani po ia zë vendin, për shkak se Albini paska qenë kryeministër i shthurjes. Pra nga një koalicion i shpresave të rreme, po kalojmë tek një koalicion i interesave të bëme. Do ta kemi një qeveri të re që është kombinuar nga rrethanat e përfitimet, por s’ka të bëjë asgjë me parimet”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se kjo qeveri do të jetë e plogësht përballë sfidave emergjente si pandemia, e të çakorduar përballë sfidave si zhvillimi e ekonomia.

“Por në tërë këto zhvillime politike, ku koalicionet ranë e u ngritën shpejt, qytetarët megjithatë nuk morën përgjigje se ku mbeti shpresa e LDK-së dhe Vetëvendosjes, dhe si u bënë ‘kapësit e djeshëm të shtetit’, partnerë të LDK-së në qeverinë e re. Kjo tregon qartë se Vetëvendosja dhe LDK-ja, janë e njëjta mendësi shantazhuese, që synojnë të përfundojnë në qeverisje përfituese. Natyrisht se përballë këtij devalvimi të integritetit politik, detyrat tona si opozitë bëhen më të mëdha. Kosova meriton shumë më mirë se kaq, e një ditë, shumë afër, do ta ketë atë që e meriton”, ka shkruar ish-ministri Tahiri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli pritet që pas gjysmë ore…