Qeveria e re ta avancojë agjendën e brendshme dhe dialogun me Serbinë

24 shkurt 2021 | 11:38

Drejtori ekzekutiv i Institutit EPIK, Demush Shasha, ka thënë se qeveria Kurti 2 nuk ka asnjë pengesë që ta avancojë agjendën e brendshme reformuese dhe ta avancojë dialogun me Serbinë. Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka deklaruar se qeveria e re duhet ta sigurojë pajtimin e interesave të qytetarëve dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë. Sipas tij, këto dy prioritete mund të vazhdohen paralelisht. Shasha ka shprehur skepticizëm se në këtë vit mund të ketë lëvizje pozitive për çështjen e liberalizimit të vizave

“Epoka e re”: Z. Shasha, Kosova ka organizuar zgjedhjet e 14 shkurtit sipas standardeve të kërkuara. Cili mund të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve në raportet e Kosovës me BE-në?

Shasha: Procesi zgjedhor është vlerësuar lart nga ana e BE-së. Institucionet e BE-së kanë bërë tani thirrje që të konstituohen të gjitha institucionet e reja dhe të sigurohet stabiliteti politik në Kosovë. Konsideroj se qeveria e re e ka mundësinë e artë të bëjë përparim në marrëdhënien e Kosovës me BE-në, duke siguruar zbatimin e reformave të parapara në agjendën evropiane me qëllim të fitimit të statusit të vendit kandidat. Kosova dhe Bosnja mbesin të vetmet dy vende në Ballkan të cilat nuk gëzojnë statusin e vendit kandidat.

 “Epoka e re”: Çfarë duhet të jetë qasja e qeverisë së re ndaj BE-së?
Shasha: Konsideroj se qeveria e re duhet të tregojë përkushtim konkret për avancimin e rrugës integruese të vendit duke bërë përparim në zbatimin e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Stabilizim Asocimit dhe avancimin e dialogut Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim prioritet do të jetë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reforma e administratës publike dhe respektimi i parimeve të mirëqeverisjes në të gjitha institucionet e shtetit. Po ashtu, përparimi i ndjeshëm në raportet tona me Serbinë do të ishte hap kyç për avancimin e rrugës integruese të vendit.

 “Epoka e re”: Fituesi i zgjedhjeve të 14 shkurti, Albin Kurti, ka bërë me dije se qeveria e tij nuk do ta ketë prioritet dialogun me Serbinë, ndërsa ShBA-ja dhe BE-ja i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre. Si e shihni vazhdimin e këtij procesi?
Shasha: Konsideroj se është e gabueshme ta mendojmë dialogun në terma ekskluzivë. Konsideroj se nuk ka asnjë pengesë që qeveria e ardhshme e Kosovës të bëjë dy gjëra të njëjtën kohë – edhe ta avancojë agjendën e brendshme reformuese në luftë kundër korrupsionit/krijimin e vendeve të reja punës, edhe ta avancojë dialogun me Serbinë. Po filloj nga e para. Për së paku 10 vjetët e fundit institucionet e Kosovës nuk kanë përfaqësuar legjitimitetin e plotë qytetar, por kanë qenë produkt i makinacioneve politike. Si të tilla, agjendat e tyre qeverisëse nuk ka qenë të përcaktuara nga vullneti i qytetarëve, por nga interesat partiake. Në këtë kontekst, qeveria Kurti 2 do jetë për herë të parë nga shpallja e pavarësisë qeveri e cila do të ketë mandat plotësisht legjitim i cili do jetë i lidhur drejtpërdrejt me vullnetin e qytetarëve. Në këtë drejtim, z. Kurti nuk ka marrë mandat nga qytetarët për ta kontrabanduar votën e tyre nga një mandat për drejtësi dhe ekonomi për qytetarët e Kosovës në një mandat dialogu me Serbinë.  Rrjedhimisht, konsideroj se qeveria Kurti do të veprojë drejt nëse nuk shpenzon gjithë kapitalin e saj politik në dialogun me Serbinë. Dhe kjo, në fakt, është në përputhje të plotë me brengat dhe pritjet e qytetarëve. Sipas studimit të PIPS-it “Politikat ndërkombëtare dhe dialogu me Serbinë” (dhjetor 2020), 63 për qind  të qytetarëve nuk besojnë se një marrëveshje me Serbinë do të ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre. Nga ana tjetër, vetëm 14.7 për qind mendojnë që do të ndikoj. Njëkohësisht, 72 për qind konsiderojnë se shtetësia e Kosovës nuk rrezikohet nga mosnjohja e Serbisë. Edhe sondazhet e fundit në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2020 treguan që qytetarët e Kosovës nuk e shohin dialogun me Serbinë si çështje prioritare. Në sondazhin e “Grupit Koha”, dialogu me Serbinë zuri vendin e 9 për nga rëndësia. Nga ana tjetër, sondazhi identifikoi se tri top prioritetet për qytetarët janë: krijimi i vendeve të reja punës, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit. Në këtë frymë Pulsi Publik i UNDP-s për vitin 2020 gjeti se 76 për qind të qytetarëve të Kosovës shohin prioritet luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.  Pra, ajo çfarë është më se e qartë është se për qytetarët e Kosovës krijimi i vendeve të reja punës, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, shëndetësia dhe arsimi janë prioritetet kryesore – jo dialogu me Serbinë. Duhet thënë, po ashtu, për hir të korrektësisë, se ka edhe një vështirësi në leximin e këtyre sondazheve. “Dialogu me Serbinë” ka fituar një konotacion negativ në shoqërinë e Kosovës. Perceptohet me automatizëm si një gjë negative. Dhe për këtë përgjegjësinë e kanë partitë politike të cilat që nga fillimi i dialogut kanë përdorur atë si mjet për zgjatjen e pushtetit. Nga ana tjetër, po ashtu duhet njohur faktin që është në interesin e Kosovës që t’i zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me një fqinj të saj me të cilin do të jetojë në paqe në një hapësirë të bashkuar evropiane dhe ta sigurojë konsolidimin e plotë në skenën ndërkombëtare. Ky është, po ashtu, interesi dhe angazhimi i partnerëve tanë kyç ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, në reagimet e para ShBA-ja dhe BE-ja kanë bërë të qartë se dialogu është një nga pritjet kryesore të tyre nga qeveria e re. Në këtë kontekst, qeveria Kurti 2 duhet ta sigurojë pajtimin e këtyre dy realiteteve: interesat e qytetarëve dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë. Dhe këtu unë them se nuk shoh asnjë pengesë që qeveria ta fokusojë energjinë e saj në këto dy drejtime paralelisht ose pothuaj paralelisht.

E them “pothuaj paralelisht” sepse një aspekt i rëndësishëm i diskutimit mbi avancimin e dialogut është: koha. Dhe në këtë drejtim është shumë me rëndësi ta rikujtojmë edhe deklaratën e presidentit Vuçiq i cili përjashtoi çfarëdo mundësie që të ketë marrëveshje me Kosovën deri në prill 2022 kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Kjo krijon një hapësirë kohore ku qeveria Kurti 2 mund ta fokusojë vëmendjen e saj gjatë vitit 2021/2022 në çështje të brendshme, duke zhvendosur vëmendjen më pastaj në vitin 2022/2023 në dialogun me Serbinë.  Dhe në këtë drejtim konsideroj se debati publik nuk duhet të jetë se a mbështet një qeveri apo jo dialogun, kjo pasi që besoj se të gjitha qeveritë eventualisht do ta mbështesin dialogun. Çështja besoj duhet shtruar në dy rrafshe më konkrete: (1) Cili është kompromisi për ta fituar anëtarësimin në OKB? dhe (2) Kur duhet bërë ky kompromis? Dhe përgjigjja në këto pyetje asnjëherë nuk duhet të jetë e një mazhorance, por rezultat i një konsensusi shoqëror që do të arrihet me anë të një procesi konsultativ dhe të parashikueshëm publik.

 

“Epoka e re”: Cilat janë pritjet e juaja për këtë proces? A mund të kushtëzohet avancimi i Kosovës në rrugën e saj evropiane me dialogun me Serbinë?
Shasha: Unë nuk pres përparim të ndjeshëm në dialogun Kosovë – Serbi në një afat të shkurtër kohor. Në afat të mesëm konsideroj se të dyja palët, nën fasilitimin e BE-së dhe mbështetjen e ShBA-së, duhet të angazhohen në negociata thelbësore diplomatike. Një qasje e tillë do të kërkonte që përmes një pune intensive diplomatike të identifikohen disa skenarë të mundshëm që do të mund të ishin pjesë thelbësore e marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi. Vetëm pas arritjes së një pajtimi parimor se çfarë do të mund të ishte thelbi i marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi, liderët e dy vendeve do të mund fillonin një diskutim gjithëpërfshirës shoqëror për rëndësinë e marrëveshjes në mes dy vendeve dhe arritjen e konsensusit për kompromiset në të dyja anët e kufirit. Sidoqoftë, një qasje e këtillë thjesht kërkon kohë, transparencë dhe dialog, prandaj rrjedhimisht nuk kam pritjet ambicioze për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse në një afat të shkurtër kohor.

“Epoka e re”: Prej vitesh Kosova është duke e pritur liberalizimin e vizave nga BE-ja. Pas formimit të institucioneve të reja, mund të ndodhë diçka në këtë vit?
Shasha: Jam tejet skeptik se do të ketë lëvizje pozitive sa i përket kësaj çështje gjatë këtij viti për dy arsye: (1) pandemia ka krijuar një mjedis politik ku momentalisht Gjermania është duke rivendosur kufirin me Çekinë dhe Austrinë. Prandaj të mendosh se në këtë kontekst do të hiqen kufijtë ndaj vendeve të treta është e paimagjinueshme; (2) disa vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mendojnë se Kosova nuk ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave, respektivisht në luftë kundër korrupsionit të niveli të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga vendosja e këtij kriteri para pesë vjetësh Kosova ende ka zero raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…