Qeveria e Spanjës shpall zgjedhjet e parakohshme parlamentare
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka shpallur të hënën zgjedhje të përgjithshme të parakohshme për 23 korrik në një veprim të papritur pasi partia e tij socialiste mori një goditje serioze në zgjedhjet lokale dhe rajonale.
Përpara debaklit të së dielës, Sanchez kishte këmbëngulur se do të përfundonte mandatin e tij katërvjeçar me partnerin e koalicionit të qeverisë së majtë United We Can, duke treguar se zgjedhjet do të mbaheshin në dhjetor.
Por ai ka ndryshuar mendje shpejt, raporton “Associated Press”.
“Unë e kam marrë këtë vendim duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura dje”, ka thënë Sanchez nga pallati presidencial – Moncloa.
Vështirësitë për Sanchez dhe partinë e tij PSOE vijnë pasi Spanja do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian më 1 korrik.
Sanchezi ka thënë se kishte folur me Mbretin Felipe VI dhe do të mbante një takim të posaçëm të kabinetit më vonë të hënën për të shpërndarë parlamentin.
Data e zgjedhur për zgjedhjet e parakohshme vjen në mes të periudhës së pushimeve verore të Spanjës, me shumë njerëz që ka të ngjarë të jenë larg zonave të tyre të votimit.