Qeveria e Zvicrës aprovon marrëveshjen e re për kontributet e kosovarëve
Qeveria Federale e Zvicrës në mbledhjen e sotme ka aprovuar marrëveshja e re për sigurimet shoqërore me Kosovën.
Më ketë vendim merr fund diskriminimi tetëvjeçar i shtetasve të Kosovës, të cilët në mënyrë të rregullt kanë paguar kontributet e tyre në sigurimet shoqërore të Zvicrës. Lajmi është bërë me dije nga sindikata “Unia” e cila është me seli në Bern.
Sindikata “Unia” ka kërkuar nga qeveria federale e Zvicrës të zbatojë masat e përshtatshme, për të baraspeshuar humbjet e shkaktuara për kohën e mungesës së zbatimit të marrëveshjes.
“Me adoptimin e sotëm dhe nënshkrimin e planifikuar në qershor me Qeverinë e Kosovës, Qeveria Federale e Zvicrës hap rrugë të përparojë ratifikimin në parlament. ‘Unia’ kërkon nga parlamenti zviceran që të përshpejtojë ratifikimin. Pasi vetëm kështu mund të përfundojë ky diskriminim i papërballueshëm”, është thënë në njoftimin e sindikatës “Unia”.
“Unia” ka vlerësuar se përfituesit e pensioneve të sigurimeve shoqërore zvicerane nga Kosova kanë paguar çmim të lartë. “Çmimi i këtij diskriminimi ishte i lartë. Shumë përfitueseve iu është refuzuar pagesa e pensioneve të sigurimeve shoqërore në Kosovë. Edhe me marrëveshjen e re nuk është bërë përfundimisht e qartë se si mund të fitohet e drejta retroaktive. ‘Unia’ kërkon nga Qeveria Federale që të zbatojë masa të përshtatshme, për të baraspeshuar humbjet e shkaktuara në periudhën e kaluar shkaku i mungesës së zbatimit të marrëveshjes. Është e papranueshme që njerëzve t’u mohohet e drejta e përfitimit në pension dhe që atyre tu shkaktohet krizë ekzistenciale”, është thënë ndër të tjera në njoftimin e sindikatës “Unia”.
Shkaku i presionit të shumicës së djathtë politike në parlamentin zviceran, Qeveria Federale në prill të vitit 2010 pati anuluar marrëveshjen për sigurimet shoqërore me Zvicrën. Ky vendim pati krijuar pasiguri shkatërruese për mijëra pensionistë nga Kosova, edhe përkundër të drejtës së tyre legjitime për të marrë pension nga Zvicra.