Qeveria fillon me shpenzimin e rezervave buxhetore
Pa u bërë një muaj nga miratimi i buxhetit për këtë vit, Qeveria e Kosovës ka filluar të shpenzojë mjete nga rezervat buxhetore.
Nga 4 milionë e 800 mijë euro sa janë ndarë si rezerva shtetërore, në bazë të Ligjit vjetor të buxhetit për këtë vit, vetëm për dy muajt e parë janë shpenzuar rreth 1.4 milion euro, thotë një përgjigjeje për “Radion Evropa e Lirë”, Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Nga kjo shumë, “Qeveria e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro për realizimin e aktiviteteve të shënimit të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 300 mijë euro për Delegacionin shtetëror të Kosovës për procesin e dialogut, 143 mijë euro mbështetje për ekipin olimpik të Xhudos “Ippon” në Pejë, 112 mijë euro për rregullimin e këndit të fëmijëve dhe Parkut të Paqes në Preshevë, kurse mjetet tjera në vlera më të vogla janë ndarë për klubin e prodhueseve, renovim të shkollave e të tjera”, thuhet në përgjigje.
Në bazë të ligjit, shpenzimet e paparashikuara apo rezervat shtetërore mund të shpenzohen vetëm në raste urgjente dhe të paparashikuara.