Qeveria franceze arsyeton vonesat në vaksinim
Qeveria franceze i ka dalë në mbrojtje fushatës së saj të vaksinimit kundër koronavirusit, përkundër kritikave se ajo po shkon shumë ngadalë. Në javën e parë të fushatës janë vaksinuar 516 persona.
Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal, ka thënë se vonesat janë shkaktuar për arsye të logjistikës. Sipas tij, ekipet shëndetësore duhej të vizitonin të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe të merrnin pëlqimin e secilit person.
Një punëtore shëndetësore në Hungari përgatitet të administrojë vaksinën kundër koronavirusit më 27 dhjetor.
Bashkimi Evropian ka filluar vaksinimin me vaksina “Pfizer/BioNTech” më 27 dhjetor.
Nga e diela në mëngjes rreth 240 000 persona ishin vaksinuar në Gjermani.
Britania e Madhe është bërë vendi i parë në botë që filloi t’u japë njerëzve vaksinën kundër koronavirusit të Oksford-“AstraZeneca”. Ndërsa, në këtë vend rreth një milion njerëz tashmë janë vaksinuar me atë të “Pfizer/BioNTech”.
Gabriel Attal, i cituar nga faqja franceze e lajmeve “LCI” ka thënë se qeveria franceze po ndiqte këshillat shkencore, duke u dhënë përparësi të moshuarve në shtëpitë e kujdesit.
“Një fillim i vaksinimit më gradual është i nevojshëm për arsye logjistike: nuk mund t’u kërkoni këtyre njerëzve të shkojnë diku tjetër në vend, dhe vonesa lidhet gjithashtu me një konsultë para-vaksinimit dhe marrjen e pëlqimit. Kjo kërkon pak më shumë kohë”, ka thënë ai.
Franca është ndër vendet më të goditura të Evropës nga pandemia. Numri i të vdekurve nga sëmundja Covid-19 deri më tani është 65 037, pak më pak se Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Spitalet franceze po trajtojnë 24 780 pacientë.