Qeveria gjermane i dhuron donacion FSK-së në vlerë prej 405 mijë euro
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka pritur në takim atasheun jorezident gjerman të mbrojtjes në Kosovë, nënkolonel Franz-Josef Nolte, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen për donacion me Republikën Federale të Gjermanisë për dhurimin e kamionëve për auto-shkollën e FSK-së.
“Falënderim dhe mirënjohje e lartë për Qeverinë gjermane e cila dhuroi donacionin e ri për FSK-në në vlerë prej 405 mijë euro. Sot pata kënaqësinë të pres në takim atasheun jorezident gjerman të mbrojtjes në Kosovë, Nënkolonel Franz-Josef Nolte, ku së bashku me Kolonel Cakajn, nënshkruam Marrëveshjen për Donacion me Republikën Federale te Gjermanisë për dhurimin e kamionëve për auto-shkollën e FSK-së, vlera e së cilit është 405 mijë euro”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Me këtë rast, i shpreha falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për mbështetjen e përhershme të shtetit gjerman për të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Vazhdojmë angazhimin në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit bilateral edhe në të ardhmen të nivel të ministrive dhe forcave të të dy vendeve tona”, ka shkruar Mehaj.