Qeveria gjermane voton pro zgjatjes së mandatit të ushtarëve në Kosovë
Kabineti qeveritar i Gjermanisë, nën udhëheqjen e kancelarit të Olaf Scholz, ka miratuar vendimin për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Njoftimi është dhënë nga Ministria Federale e Mbrojtjes së Gjermanisë.
Kjo ministri, ka theksuar se ky vendim vjen pas ngritjes së tensioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ushtarët e dislokuar aktualisht përfshijnë rreth 210 të një kompanie operative gjermane që do të vendosen në terren për një vit në të ashtuquajturën Komanda Rajonale Perëndimore. Kompania e re synon të zëvendësojë forcat austriake dhe të trajnohet për të kontrolluar trazirat”, është thënë në njoftim.
Tani i mbetet në dorë Bundestagut të votojë për këtë vendim.
Bundeswehr-i gjerman është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999. Aktualisht në Kosovë ka një prezencë prej 290 ushtarësh gjermanë.