Qeveria hap thirrje për subvencionim të grave dhe vajzave nga familja e ngushtë e personave të zhdukur në luftë
Qeveria e Kosovës ka hapur thirrjen për subvencione për gra dhe vajza që përbëjnë familje të ngushtë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Këta persona duhet të jenë të evidentuar në listën e pensioneve për persona të zhdukur.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Haxhiu ka njoftuar se afati për aplikim është deri më 24 prill 2024.
Ministrja e Drejtësisë ka thënë se kjo thirrje është hapur nga Zyra e Kryeministrit, nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, në mbështetje me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur.
“Me qëllim të rritjes së mirëqenies familjare dhe pavarësimit ekonomik të grave dhe vajzave, Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, nëpërmjet Agjencisë për Barazi Gjinore, në mbështetje me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka hapur thirrjen për subvencione për gra dhe vajza që përbëjnë familje të ngushtë të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë, të evidentuar në listën e pensioneve për persona të zhdukur”, ka thënë Haxhiu.