Qeveria i hap rrugë gjykimit në mungesë për krime të luftës

25 gusht 2021 | 12:19

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar projektligjin për Kodin e Procedurës Penale në bazë të të cilët do të rregullohet gjykimi në mungesë i të akuzuarve.

Ky projektligj më pas do të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka prezantuar ndryshimet dhe plotësimet që Ministria e Drejtësisë propozon t’i bëjë në Kodin aktual të Procedurës Penale.

Ai ka thënë se përmes këtij propozimi, kryerësit e veprave penale, me theks të veçantë ato të krimeve të luftës, nuk do të kenë mundësi më t’i shmangen drejtësisë.

“Të gjithë ata që kanë kryer krime lufte do të marrin dënimin e miratuar dhe kudo që hasen nga organet ligjzbatuese do të vuajnë dënimin për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

Lidhur me ndryshimin e këtij ligji foli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Projekt-Kodi i Procedurës Penale do të mundësojë që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe rastet penale të kenë epilog”, ka deklaruar ai.

Zëvendësministri Sallahu ka bërë me dije se Kodi i Procedurës Penale ishte dashur të ndryshohet më herët, për të mundësuar edhe zbatimin e plotë të Kodit të ri Penal, që hyri në fuqi në vitin 2019.

Sallahu po ashtu kanë thënë se janë forcuar kapacitetet në Departamentin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Republika e Kosovës dhe Maqedonia e Veriut kanë nënshkruar sot…