Qeveria jep detaje nga takimi i Bislimit me emisarin e BE-së për dialogun

24 prill 2025 | 15:26

Qeveria e Kosovës ka dhënë pak detaje në lidhje me takimin e mbajtur sot mes zëvendëskryeministrit në detyrë, Besnik Bislimi dhe emisarit evropian për dialogun, Peter Sorensen.

Në një njoftim është thënë se ky ishte takimi dytë mes tyre.

Aty është thënë se u bisedua për marrëveshjet e nivelit teknik, dhe rëndësinë e zbatimit të atyre të Brukselit dhe Ohrit.

“Ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar. Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, ka njoftuar  Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, Sorensen shkurt para mediave u shpreh se vizita e tij e sotme ka qenë “pjesë e zakonshme e misionit” dhe se të tilla priten edhe në të ardhmen.

Ndërkohë, ai ka paralajmëruar se nga Prishtina do të shkojë në Beograd, duke përfunduar me fjalët “kaq për tani”.

“Sot jam në Prishtinë si pjesë e zbatimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë, dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jeni këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd, dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Petrol Company, cilësia e derivateve është një nga prioritetet…